Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 235 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
20 vatra zjarri janë raportuar në 24 orët e fundit në vend, ndërsa 9 prej tyre vijojnë të jenë aktive dhe një tjetër po mbahet nën monitorim.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 235 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, ndërsa në terren kanë dalë edhe 140 efektivë të Forcave të Armatosura, të mbështetur nga tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Situata më problematike paraqitet në Gojan-Gjegjan të Pukës, ku era e fortë dhe terreni i vështirë kanë favorizuar përhapjen e flakëve. Forcat në terren janë fokusuar në mbrojtjen e banesave, ndërsa banorët e zonës janë evakuuar. Operacioni është përforcuar me 40 efektivë të FA-së dhe tre helikopterë.
Në Mal Milot të Kurbinit, zjarri vijon të jetë aktiv, por për momentin nuk paraqet rrezik për banesat. Në zonë po punojnë forca zjarrfikëse, ushtarake dhe bashkiake, ndërsa është kërkuar shtim i kapaciteteve me trupa dhe mjete të Forcave të Armatosura.
Edhe në Dajt të Tiranës është shënuar riaktivizim i flakëve, por pa rrezikuar zonat e banuara. Ndërhyrja po kryhet nga shërbimet zjarrfikëse, strukturat e emergjencave dhe FA, me mbështetjen e një helikopteri.
Në Dukat të Vlorës, zjarri në zonën e Shatës është zgjeruar gjatë natës drejt malit. Forcat vendore, 40 efektivë të FA-së dhe dy avionë Air Tractor po vijojnë operacionin, ndërsa deri tani banesat nuk janë në rrezik.
Në Ballaxhiaj të Memaliajt, situata është përmirësuar dhe zjarri konsiderohet nën kontroll, larg zonave të banuara. Në operacion janë përfshirë zjarrfikës, policia dhe vullnetarë, ndërsa disa banorë janë evakuuar si masë sigurie.
Vatra aktive raportohen gjithashtu në Kalivaç, Shtuf, Gjorm të Sipërm dhe Hotolisht. Ndërkohë, zjarri në Lufaj të Mirditës është vënë nën kontroll dhe zona po monitorohet.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.









