Zjarret\ Rëndohet gjendja në Priskë dhe Krujë, rrezikohen banesat

Facebook
WhatsApp

Flakët vijojnë të jenë aktive në disa zona pranë Tiranës dhe në Krujë, duke vënë në vështirësi banorët dhe forcat zjarrfikëse. Në Priskë zjarri ka sjellë ndërprerje të energjisë dhe ujit në Lundër, ndërsa në Krujë ekipet po përballen prej ditësh me vatra të reja dhe terren të vështirë.

Zjarri që prej disa ditësh vijon të jetë aktiv në zonën e Priskës së Madhe është përhapur në drejtim të Lundrës, Farkës së Madhe dhe Gurrës, duke rritur rrezikun për banorët dhe pronat. Situata pranë zonave të banuara ka kërkuar angazhimin e forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencave.

Për shkak të zjarrit është ndërprerë edhe energjia elektrike në zonë. Si pasojë, është fikur stacioni i pompimit të ujit në Priskë, duke sjellë ndërprerje të furnizimit me ujë për banorët e Lundrës.

Ujësjellës Kanalizime Tiranë ka njoftuar se ndërprerja e furnizimit me ujë lidhet drejtpërdrejt me situatën e krijuar nga zjarret dhe mungesën e energjisë elektrike. Institucioni ka bërë me dije se do të informojë sërish qytetarët sapo situata të rikthehet në normalitet dhe të rinisë furnizimi.

Ndërkohë, flakët kanë përfshirë sipërfaqe me bimësi dhe ullishte. Një banesë e pabanuar është djegur, ndërsa tre familje janë evakuuar për arsye sigurie. Banorët kanë raportuar gjithashtu se dhjetëra bagëti kanë mbetur të bllokuara në zonat e prekura nga zjarri. Në terren është konstatuar edhe një automjet i djegur plotësisht.

Situata e zjarreve mbetet shqetësuese edhe në Krujë, ku prej pesë ditësh vijon beteja me flakët. Tymi është ngritur mbi qytet, ndërsa në lagjen Abaze një nga vatrat është raportuar rreth 400 metra larg banesave.

Forcat zjarrfikëse vijojnë punën për izolimin dhe neutralizimin e vatrave, por situata mbetet e paparashikueshme. Në disa zona ku zjarret ishin konsideruar të shuara, prushi i mbetur ka shkaktuar riaktivizimin e flakëve, duke detyruar ekipet të rikthehen në terren.

Nënkryetarja e Bashkisë së Krujës, Yllka Sheta, ka deklaruar se situata aktualisht është më e qetë, por ka paralajmëruar se përvoja e pesë ditëve të fundit nuk lejon neglizhencë.

“Gjendja duket e qetë aktualisht, por gjithë këto pesë ditë na kanë treguar se tani mund të jesh i qetë dhe më vonë të dalë gjendja jashtë kontrollit”, është shprehur ajo.

Puna e zjarrfikësve është vështirësuar edhe nga lodhja dhe dëmtimet fizike. Pas ditësh të tëra në terren, disa efektivë kanë vijuar detyrën pavarësisht problemeve shëndetësore.

Zjarrfikësi Eduart Tupi, i dëmtuar në këmbë, ka treguar se prej ditësh nuk ka mundur të pushojë normalisht. “Kam një javë pa gjumë dhe as këpucët nuk kam heq që prej disa ditësh. Puna jonë kështu e ka”, ka deklaruar ai.

Në vijën e parë ndodhet edhe zjarrfikësi Ali Tupi, i cili, pavarësisht problemeve shëndetësore dhe mjekimit për mushkëritë, vijon të jetë në detyrë. “Duhet të vish në punë. Do ta bëjmë me zemër e njerëzillëk”, është shprehur ai.

Komandanti i zjarrfikësve të Krujës, Altin Shullazi, ka deklaruar se efektivët nuk do të tërhiqen deri në neutralizimin e plotë të rrezikut. “Na dhimbset ky qytet. Jemi lindur e rritur në këtë qytet, nuk duam të shkatërrohet. Nuk do të dorëzohemi deri në fund”, ka thënë ai.

Përveç flakëve, në lagjen Abaze është shfaqur edhe rreziku i shkëputjes së gurëve nga mali. Gurët kanë nisur të rrokullisen drejt zonave ku punojnë zjarrfikësit, duke shtuar rrezikun për efektivët dhe banorët.

Zjarret në Priskë dhe Krujë mbeten aktive, ndërsa forcat në terren vijojnë operacionet për izolimin e vatrave dhe mbrojtjen e zonave të banuara.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick