Në Dajt, ndërhyrja e zjarrfikësve, Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe helikopterit të Forcës Ajrore bëri të mundur shuarjen e zjarrit. Zona po mbahet nën monitorim. Plotësisht është shuar edhe vatra në Priskë.
Situata e zjarreve në vend është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa disa prej vatrave që gjatë ditës paraqisnin probleme janë shuar plotësisht ose janë vënë nën kontroll.
Nga nëntë vatra të raportuara gjatë ditës, katër janë shuar plotësisht, ndërsa në disa zona të tjera flakët janë izoluar dhe po mbahen nën monitorim.
Në Mallakastër, ku gjatë dy ditëve të fundit situata ishte e vështirë në Riban-Ngraçan dhe Panahor, zjarri është izoluar plotësisht në të gjithë perimetrin. Zona vijon të mbahet nën mbikëqyrje, ndërsa nga flakët janë djegur rreth 180 hektarë pyje.
Situata është përmirësuar edhe në Çikallesh të Kavajës, ku zjarri ishte afruar pranë banesave. Zjarrfikësit nga Kavaja, Kamza dhe Rrogozhina, të mbështetur nga ajri nga avioni “Air Tractor”, kanë arritur të izolojnë plotësisht flakët. Zona vijon të monitorohet për të parandaluar riaktivizimin e vatrave.
Nën kontroll është vënë edhe zjarri në Plan të Bardhë të Klosit. Flakët, të favorizuara nga era, kishin rrezikuar banesa dhe rrjetin elektrik. Në operacion u angazhuan zjarrfikës nga disa bashki, Policia e Shtetit, strukturat vendore, vullnetarë dhe 25 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në Dajt, ndërhyrja e zjarrfikësve, Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe helikopterit të Forcës Ajrore bëri të mundur shuarjen e zjarrit. Zona po mbahet nën monitorim. Plotësisht është shuar edhe vatra në Priskë.
Flakët janë shuar gjithashtu në Kostren 2 të Beratit dhe në Uruç të Peqinit.
Ndërkohë, një vatër e re është raportuar në Alikomemaj të Memaliajt, në një sipërfaqe me pisha. Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për neutralizimin e saj.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, situata në tërësi paraqitet e stabilizuar dhe aktualisht nuk ka vatra problematike që rrezikojnë komunitetin apo zonat e banuara. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat e tjera vijojnë monitorimin e zonave të prekura.









