Zjarri në Himarë, kryebashkiaku: S’ka më rrezik për banorët

Facebook
WhatsApp

Sipas Vangjel Tavos, ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencave bëri të mundur shmangien e pasojave më të rënda për banesat dhe bizneset.

Situata e zjarrit në Himarë është vënë nën kontroll pas një nate të vështirë, ndërsa nuk raportohet për viktima apo persona të lënduar.

Kreu i Bashkisë, Vangjel Tavo, deklaroi se aktualisht nuk ka rrezik për banorët dhe zonat e banuara, ndërsa puna vijon për shuarjen e vatrave të fundit dhe evidentimin e dëmeve.

Sipas Tavos, ndërhyrja e forcave zjarrfikëse dhe strukturave të emergjencave bëri të mundur shmangien e pasojave më të rënda për banesat dhe bizneset.

Operacioni gjatë natës u zhvillua në kushte të vështira për shkak të erës, ndërsa me zbardhjen e ditës në luftën kundër flakëve u përfshinë edhe helikopterët.

“Nata dhe era ishin në disfavorin tonë. Me ardhjen e ditës, operacionit në terren iu bashkua edhe ndihma nga ajri nëpërmjet helikopterëve, për shuarjen e vatrave të fundit të zjarrit që vijonin të ishin aktive”, deklaroi Tavo.

Në operacion, krahas strukturave të Bashkisë Himarë, u angazhuan Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, si dhe forca zjarrfikëse të ardhura nga bashki të tjera.

Kryebashkiaku konfirmoi se, pavarësisht situatës së vështirë të krijuar nga flakët, nuk pati pasoja në njerëz.

“Fatmirësisht, nuk pati viktima apo persona të lënduar”, tha Tavo.

Pas vënies së situatës nën kontroll, vëmendja është zhvendosur te evidentimi i pasojave. Bashkia Himarë dhe institucionet e tjera të përfshira do të vijojnë gjatë ditës vlerësimin e dëmeve dhe identifikimin e personave që mund të kenë nevojë për akomodim apo mbështetje për rikuperimin e pronave të dëmtuara.

Tavo falenderoi zjarrfikësit, strukturat e emergjencave dhe qytetarët që kontribuuan në përballimin e situatës, si dhe banorët që zbatuan thirrjet për evakuim nga zonat e rrezikuara.

“Tani është koha të mbështesim njëri-tjetrin dhe të punojmë për të rikuperuar dëmet e shkaktuara”, përfundoi ai.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick