96 organizata kërkojnë rishikimin e politikave për zonat e mbrojtura

Facebook
WhatsApp
Ligj i ri per zonat e mbrojtura

Nisur nga zhvillimet e fundit në zonën e mbrojtur Pishë-Poro Nartë, organizatat e shoqërisë civile kanë depozituar kërkesën e tyre drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. 

Organizatat kërkojnë rishikimin me prioritet të politikave të qeverisë shqiptare për zonat e mbrojtura. Kjo kërkesë vjen si vijim i qëndrimit që organizatat e shoqërisë civile paraqitën në vitin 2024 ndaj ndryshimeve në ligjin nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura”. 

Pavarësisht kundërshtimeve dhe komenteve të paraqitura nga shoqëria civile, në shkurt 2024 Kuvendi e miratoi ligjin e ndryshuar. Sikundër ishte parashikuar, ndryshimet e futura në ligjin për zonat e mbrojtura po i hapin rrugë jo vetëm dëmtimit të tyre, por edhe mungesës së transparencës në vendimmarrje, anashkalimit të strukturave vendimmarrëse mjedisore dhe dhunës ndaj qytetarëve.

Rasti i investimit në “zonën core” të Peizazhit të Mbrojtur “Pishë Poro – Nartë” është rasti më i fundit. Pas një analize të kujdesshme të vendimmarrjes mjedisore në Shqipëri, procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe pasojave afatgjata të lejimit të investimeve turistike në zonat e mbrojtura, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë:
Shfuqizimin e menjëhershëm të dispozitave të miratuara me ligjin e ndryshuar për zonat e mbrojtura (nr. 21/2024);
Nisjen e një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës për përafrimin e plotë të ligjit nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura” me standardet e BE-së;
Vendosjen e një moratoriumi për dhënien e lejeve për zhvillime të reja turistike dhe infrastrukturore në zonat e mbrojtura, deri në sigurimin e përafrimit të plotë me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare.

Këto kërkesa bazohen në tri shqetësime kryesore: Ligji i ndryshuar po vepron kundër zonave të mbrojtura dhe rrezikon të bllokojë procesin e integrimit në BE; investimet në zonat e mbrojtura krijojnë një konflikt me kosto të lartë dhe afatgjatë për të ardhmen e vendit; nuk respektohet pjesëmarrja publike, llogaridhënia dhe transparenca në vendimmarrjen mjedisore.

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ishte nismëtari dhe miratoi ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura në vitin 2024. Për këtë arsye, ne besojmë se ai ka përgjegjësi të rëndësishme institucionale për të adresuar pasojat e këtij vendimi dhe për të siguruar që zonat e mbrojtura të Shqipërisë të qeverisen në përputhje me standardet e BE-së dhe parimet e IUCN-së.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick