Banorët akuzojnë për grabitje pronash dhe dokumente të falsifikuara, ndërsa kryeministri thekson se zgjidhja i takon drejtësisë. Takimi në Vlorë u shoqërua me replika të forta dhe momente të hapura tensioni mes palëve.
Prej gjashtë ditësh qytetarë dhe aktivistë kanë protestuar për çështjen e projektit turistik në Zvërnec, ndërsa këtë të premte Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me banorët në Vlorë, mes debateve të forta për pronësinë e tokave. Takimi u shoqërua me tone të ashpra dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj qeverisë për grabitje pronash.
Një prej pronarëve deklaroi para kryeministrit se toka e tij ishte “grabitur me dokumente të falsifikuara”, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga shteti. Rama iu përgjigj se çështja e grabitjes së pronës nuk ishte në kompetencën e tij direkte, por e organeve të drejtësisë, duke theksuar se ai ndodhej aty për të diskutuar mbi projektin dhe raportin e qeverisë për zhvillimin e zonës.
Debati u tensionua edhe më tej kur banorë të tjerë pretenduan se prona është në proces gjyqësor dhe se projekti nuk duhet të kishte nisur pa një vendim përfundimtar nga gjykata. Kreu i qeverisë argumentoi se hapja e një procesi gjyqësor nuk nënkupton automatikisht pezullimin e çdo veprimi, për sa kohë nuk ka një vendim që e ndalon shprehimisht zhvillimin.
Në diskutim u përmend edhe roli i institucioneve si kadastra dhe SPAK, ndërsa Rama sqaroi se procedurat janë ndjekur mbi bazën e dokumentacionit zyrtar. Sipas tij, nëse drejtësia vendos në favor të pretenduesve, atëherë shteti do të veprojë sipas ligjit për kthimin ose kompensimin e pronës.
Replika të forta pati edhe me banorë që prej vitesh ndjekin çështjen në gjykata. Njëri prej tyre tha se endet nëpër procese që nga viti 2006, duke kërkuar zgjidhje nga shteti. Rama u shpreh se fuqia e tij si kryeministër përfundon aty ku nis ajo e gjykatave, duke refuzuar të sulmojë sistemin e drejtësisë, pavarësisht kritikave të pranishmeve.
Çështja e Zvërnecit mbetet një nga temat më të nxehta të ditëve të fundit, duke sjellë përplasje mes qeverisë dhe qytetarëve që pretendojnë pronësinë mbi tokat ku parashikohet zhvillimi turistik. Protestat dhe debatet pritet të vijojnë, ndërsa palët mbeten të ndara mbi ligjshmërinë e projektit dhe të drejtën e pronës.









