Policia zbarkon në një zyrë në bulevardin “Gjergj Fishta”, arrestohen 4 persona, procedohen 49 punonjës.
Një tjetër call center i dyshuar për mashtrim kompjuterik është goditur nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Hold On”. Aksioni u zhvillua në katin e dytë të një objekti në bulevardin “Gjergj Fishta”, ku sipas hetimeve paraprake ushtrohej aktivitet i paligjshëm nëpërmjet komunikimeve telefonike dhe pajisjeve kompjuterike.
Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se operacioni u organizua pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. “Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, specialistët e Hetimit të Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe ata të Krimeve Kibernetike finalizuan operacionin e koduar ‘Hold On’”, thuhet në deklaratë.
Sipas Policisë, në flagrancë janë arrestuar katër persona, të identifikuar me inicialet E.K., 28 vjeç, A.J., 21 vjeç, E.D., 21 vjeç dhe M.M., 19 vjeç. Ata dyshohet se administronin aktivitetin ose drejtonin grupet e punonjësve që operonin në ambientet e call center-it.
Gjatë kontrollit në ambientet e zyrës, efektivët gjetën 49 persona të tjerë duke punuar, ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë. Po sipas Policisë, “procedohen penalisht 49 punonjës, të cilët u kapën në flagrancë në këtë ambient”.
Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 94 kompjuterë, 11 telefona celularë, 2 iPad dhe materiale të tjera që do t’i shërbejnë hetimit. “Sekuestrohen 107 pajisje nëpërmjet të cilave kryhej mashtrimi”, thuhet më tej në deklaratën zyrtare.
Goditja e këtij call center-i është vetëm episodi më i fundit i një fenomeni që prej vitesh është shtrirë gjerësisht në Shqipëri. Megjithëse operacione të tilla paraqiten si suksese të autoriteteve, aktiviteti i qendrave që targetojnë qytetarë të huaj përmes skemave të investimeve apo mashtrimeve online mbetet masiv.
Në shumicën e rasteve, ndërhyrjet e institucioneve shqiptare ndodhin pasi janë regjistruar ankesa nga autoritetet e huaja ose nga ambasadat e vendeve të qytetarëve të dëmtuar, duke ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e strukturave vendase për të identifikuar dhe goditur në kohë këto rrjete mashtrimi.









