Zvërneci, debate të forta PD-PS në seancën e sotme në Kuvend

Facebook
WhatsApp

Liderët e dy partive, Rama dhe Berisha sulmohen rregullisht nga pjesëmarrësit në protestë si përgjegjës për traumat e mëdha të tranzicionit.

Debate të ashpra kanë shoqëruar seancën plenare të kësaj të enjteje, ku përplasja mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste është përqendruar te projekti i investimit në Zvërnec, protestat qytetare që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë dhe kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Nga foltorja e Kuvendit, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, u bëri thirrje deputetëve të mazhorancës që të dëgjojnë zërin e protestuesve dhe të mos injorojnë kërkesat që po artikulohen në sheshe.

Sipas saj, realiteti politik në vend nuk mund të anashkalohet nga Kuvendi, ndërsa kërkoi shfuqizimin e ligjeve që, sipas opozitës, favorizojnë interesa oligarkike dhe dëmtojnë trashëgiminë kulturore.

Zhupa deklaroi se protestat po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe ngritjen e një qeverie tranzitore, duke akuzuar mazhorancën se po i minimizon qëllimisht përmasat e pakënaqësisë qytetare.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, reagoi me tone ironike ndaj opozitës, duke deklaruar se projekti për investimin në Zvërnec do të vijojë dhe se katër projektligjet e paraqitura nga opozita do të rrëzohen nga shumica parlamentare.

Balla tha se Partia Socialiste është votuar për të çuar përpara zhvillimin ekonomik të vendit dhe se Shqipëria nuk mund të humbasë një investim prej miliarda eurosh. Ai akuzoi opozitën për qëndrime kontradiktore ndaj projektit, duke kujtuar se vetëm pak ditë më parë drejtuesit e saj ishin shprehur në favor të investimit.

Deklaratat e Ballës u pritën me duartrokitje nga deputetët socialistë, ndërsa opozita vijoi akuzat ndaj qeverisë për mënyrën se si po trajtohet çështja e Zvërnecit.

Ndërkohë, jashtë Kuvendit, protestat vazhdojnë prej ditësh me pjesëmarrjen e qytetarëve që kundërshtojnë projektin dhe kërkojnë ndryshime politike. Një element i veçantë i këtyre tubimeve është fakti se kritikat nuk drejtohen vetëm ndaj qeverisë aktuale.

Pjesëmarrësit sulmojnë rregullisht si Edi Ramën ashtu edhe Sali Berishën, duke i konsideruar figurat kryesore politike përgjegjëse për një pjesë të madhe të traumave sociale, ekonomike dhe institucionale që kanë shoqëruar tranzicionin shqiptar gjatë më shumë se tre dekadave të fundit.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick