Banorët e Baks-Rrjollit protestuan sërish kundër ndërtimit të resortit turistik, duke hequr gardhet dhe telat me gjemba të vendosur rreth kantierit. Aksioni u shoqërua me tensione në terren dhe me lëndimin e një protestuesi.
Banorët e zonës së Baks-Rrjollit në Velipojë zhvilluan këtë të shtunë një tjetër protestë kundër ndërtimit të një resorti turistik në një sipërfaqe toke për të cilën ata pretendojnë se u përket. Tubimi u zhvillua pranë kantierit të ndërtimit, ku protestuesit kundërshtuan vijimin e punimeve dhe kërkuan zgjidhje për çështjen e pronësisë.
Sipas banorëve, mosmarrëveshja lidhet me atë që ata e konsiderojnë tjetërsim të dokumentacionit të pronësisë. Ata pretendojnë se tokat janë përvetësuar në mënyrë të paligjshme dhe më pas i janë kaluar investitorit që po zhvillon projektin turistik në vijën bregdetare të Velipojës. Çështja, sipas tyre, po ndiqet edhe nga organet e drejtësisë.
Gjatë protestës, një grup banorësh hoqën pjesë të rrethimit metalik dhe të gardhit me tela me gjemba të vendosur rreth kantierit, duke hyrë në zonën ku po kryhen punimet. Në vendngjarje ishin të pranishme forca të policisë, ndërsa në disa momente u raportuan tensione dhe përplasje verbale mes protestuesve dhe efektivëve.
Banorët deklarojnë se kundërshtimi ndaj projektit ka nisur prej afro një viti dhe është intensifikuar që nga fillimi i punimeve në terren. Ata shprehen se do të vijojnë protestat deri në sqarimin përfundimtar të statusit të pronave dhe shqyrtimin e pretendimeve të tyre nga institucionet përgjegjëse.
Gjatë tubimit u dëgjuan edhe thirrje me përmbajtje politike, ndërsa protestuesit kërkuan ndërprerjen e punimeve deri në zbardhjen e çështjes së pronësisë.
Nga informacionet paraprake, një person mbeti i lënduar gjatë protestës, teksa po hiqej rrethimi i kantierit. Ai mori ndihmën e parë mjekësore dhe u transportua me ambulancë për trajtim të mëtejshëm. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se i lënduari ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, punimet në zonë dhe debati mbi pronësinë e tokave mbeten në qendër të përplasjes mes banorëve dhe palëve të përfshira në projekt.









