Dosja hetimore e SPAK hedh dritë mbi aktivitetin e një grupi të dyshuar kriminal, i cili sipas hetimeve ka përdorur investimet në prona dhe ndërtim për të fshehur të ardhurat e përfituara nga trafiku i narkotikëve. Në qendër të hetimeve janë takimet jashtë vendit, projektet e ndërtimit dhe transaksionet e dyshimta në Tiranë e Vlorë.
SPAK zhvilloi një operacion të gjerë kundër një grupi të strukturuar kriminal të dyshuar për trafik droge dhe pastrim parash, duke lëshuar 20 masa sigurie, prej të cilave 15 “arrest me burg” dhe 5 “arrest në shtëpi”. Në fokus të hetimeve ndodhen disa persona, mes tyre Artur Shehu, Adrian Rama, Elton Memeti, Alfredo Hamzai dhe Ardian Zykaj.
Sipas dosjes hetimore, personat nën hetim dyshohet se kanë përdorur një sërë veprimesh juridike të maskuara, përfshirë kontrata dhurimi dhe transferime pasurish, me qëllim zhvillimin e pronave dhe sigurimin e lejeve të ndërtimit. Hetuesit dyshojnë se këto veprime janë kryer për të fshehur origjinën e paligjshme të fondeve dhe për të shmangur justifikimin e burimit të pasurisë.
Një nga elementët kryesorë të dosjes janë takimet e zhvilluara jashtë Shqipërisë. Nga të dhënat e siguruara nga autoritetet spanjolle dhe belge rezulton se Artur Shehu, Adrian Rama dhe Elton Memeti kanë zhvilluar takime në Spanjë dhe Aruba. Sipas SPAK, në komunikimet e përgjuara ata kanë diskutuar edhe për kontakte dhe takime me funksionarë të lartë shtetërorë, pa u bërë publikë emrat e tyre.
Një tjetër pistë e rëndësishme lidhet me pronën e njohur si “toka te Juvenilja”, pranë stadiumit “Air Albania” në Tiranë. Hetimet tregojnë se të dyshuarit kanë ndërmarrë hapa për zhvillimin e kësaj prone dhe sigurimin e një lejeje ndërtimi. Megjithatë, projekti është penguar pas sekuestrimit të një pjese të pasurisë dhe problemeve ligjore që lidhen me kontratat ekzistuese.
Në komunikimet e zbardhura nga platforma SKY ECC përmendet edhe blerja e 300 metrave katrorë tokë në këtë zonë për rreth 100 mijë euro. Hetuesit dyshojnë se transaksionet dhe marrëveshjet e kryera kanë qenë pjesë e një skeme më të gjerë për pastrimin e parave.
Dosja përmban gjithashtu detaje për interesat e grupit në zonën e Zvërnecit dhe Akërnisë në Vlorë. Përmes komunikimeve të përgjuara rezulton se Adrian Rama dhe Artur Shehu kanë organizuar takime në Stamboll gjatë vitit 2020, ku janë diskutuar çështje që lidhen me prona, investime dhe negociata me persona të huaj.
Në bisedat e SKY ECC përmenden vizita të investitorëve të huaj në Zvërnec për të parë pronat, si dhe diskutime mbi çmimet e tokave dhe mundësitë e zhvillimit të tyre. Sipas SPAK, këto komunikime tregojnë se personat nën hetim bashkëpunonin ngushtë për investime në pasuri të paluajtshme dhe kishin dijeni të plotë për veprimet e njëri-tjetrit.
Një kapitull tjetër i dosjes lidhet me Luciano Koçekun dhe biznesmenin Ilir Shtufi. Sipas hetimeve dhe dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Erion Alibej, Koçeku dyshohet se ka investuar të ardhura të përfituara nga trafiku i narkotikëve në sektorin e ndërtimit përmes bashkëpunimit me Shtufin.
Në dosje thuhet se Shtufi konsiderohej nga Koçeku si “ortaku” i tij dhe se ky bashkëpunim ka sjellë rritje të aktivitetit ekonomik të kompanive të lidhura me ta. Alibej ka deklaruar se Koçeku ka financuar me para cash projekte të ndryshme ndërtimi dhe ka ndihmuar në shlyerjen e borxheve të biznesmenit.
Sipas SPAK, të gjitha këto veprime përbëjnë pjesë të një skeme të dyshuar të pastrimit të produkteve të veprës penale përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, zhvillimit të pronave dhe projekteve të ndërtimit në zona me vlerë të lartë ekonomike.









