Mijëra emigrantë i janë bashkuar protestës së ditës së sotme, e 14-ta rradhazi e zhvilluar në Tiranë. Ata nisën marshimin e tyre nga sheshi Skëndërbej, ndërsa pastaj u zhvendosën para selisë së qeverisë.
Atmosfera në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u karakterizua nga pankarta, flamuj kombëtarë dhe thirrje të vazhdueshme kundër klasës politike. Mes sloganeve më të dëgjuara gjatë protestës ishte “Rama në burg, Berisha në burg”, një mesazh që u përsërit nga pjesëmarrësit gjatë marshimit dhe që u kthye në refrenin kryesor të tubimit.
Në protestë ranë në sy dhjetëra pankarta me mesazhe politike, ironike dhe satirike të drejtuara ndaj figurave kryesore të politikës shqiptare. Një prej tyre mbante mbishkrimin: “Çdo gjë ndryshon… edhe Çezari ishte perandor, tani është sallatë”, shoqëruar me karikatura që ironizonin kultin e individit në politikë.
Një tjetër thirrje e përsëritur gjatë tubimit ishte “Bashkohuni me ne”, përmes së cilës organizatorët dhe protestuesit u bënin apel qytetarëve të tjerë t’i bashkoheshin lëvizjes. Pjesëmarrësit shprehën pakënaqësinë ndaj situatës politike në vend dhe kërkuan përgjegjësi për atë që e konsiderojnë dështim të elitës politike gjatë tre dekadave të fundit. Përmes pankartave dhe sloganeve, ata theksuan se kritikat e tyre nuk drejtohen vetëm ndaj qeverisë aktuale, por ndaj gjithë klasës politike që ka qeverisur vendin ndër vite.
Vëmendje të veçantë tërhoqi edhe një protestuese e cila mbante një maskë që paraqiste kryeministrin Edi Rama me brirë, ndërsa duart i kishte të lidhura simbolikisht me zinxhirë dhe një dry. Ajo mbante gjithashtu një pankartë me mbishkrimin “I pandehuri Edi Rama, tradhtar i kombit”.
Në marshim u vu re edhe pjesëmarrja e emigrantëve shqiptarë të ardhur nga vende të ndryshme të Europës. Krahas flamujve shqiptarë, në shesh u panë edhe simbole të shteteve ku jetojnë komunitete të mëdha shqiptare, me flamujt britanikë që spikasnin mes turmës.
Ndërkohë, teksa protestat kundër qeverisë po hyjnë në javën e tretë, kryeministri Edi Rama ka reaguar me një nga qëndrimet e tij më të ashpra ndaj protestuesve dhe mbështetësve të tyre në rrjetet sociale.
Reagimi i tij erdhi një ditë pasi në koncertin e këngëtarit Yll Limani u dëgjuan thirrje si “Rama jepe dorëheqjen”, çka u pasua nga debate të shumta në rrjet.
Në një deklaratë publike, Rama dënoi sulmet online ndaj artistit dhe argumentoi se po krijohet një klimë presioni ndaj qytetarëve që nuk mbështesin protestat. Ai theksoi se protesta është një e drejtë demokratike që duhet respektuar, por akuzoi një pjesë të protestuesve se po ushtrojnë presion ndaj atyre që nuk i bashkohen lëvizjes. Kryeministri paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e përjashtimit të mendimit ndryshe, duke bërë krahasime me lëvizje ekstremiste të së kaluarës.









