Reuters: Resorti i Kushner po ndërtohet mbi toka të kontestuara

Facebook
WhatsApp

Banorët thonë se prona e tyre është shitur pa të drejtë dhe pa kompensim, ndërsa qeveria këmbëngul se projekti është i ligjshëm dhe do të sjellë zhvillim ekonomik.

Kur Kostaq Konomi iu afrua muajin e kaluar tokës që ai pretendon se i përket familjes së tij në bregdetin e jugut të Shqipërisë, u përball me një gardh me tela me gjemba dhe me roje sigurie që nuk e lejuan të hynte.

Pak më vonë, nga raportimet mediatike, ai mësoi se zona ishte përfshirë në projektin e një resorti luksoz që po zhvillohet nga investitorë ndërkombëtarë, mes tyre edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

“Kur isha fëmijë futesha në ato ujëra. Tani jam plakur dhe më thonë se nuk mund të shkoj më atje”, tha 81-vjeçari për Reuters. Konomi është një nga banorët e Zvernecit që pretendojnë se toka e tyre është shitur padrejtësisht për zhvillim turistik.

Disa prej tyre i paraqitën Reuters dokumente pronësie dhe regjistra tatimorë që, sipas tyre, dëshmojnë të drejtat mbi parcelat në fjalë. Ata thonë se nuk janë konsultuar për shitjen dhe nuk kanë marrë asnjë kompensim.

Mosmarrëveshja vjen në një moment kur projekti shumë miliardë eurosh në zonën e Sazanit dhe Zvernecit është kthyer në një nga investimet më të debatuara në Shqipëri. Zona përfshin hapësira të mbrojtura natyrore, ku jetojnë specie të ndryshme të faunës, përfshirë flamingot migratore, breshkat detare dhe fokat.

Këtë javë në Tiranë u zhvilluan protesta kundër projektit, ndërsa edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësime për ndikimin që mund të ketë mbi mjedisin dhe biodiversitetin e zonës.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Reuters, ka mbrojtur projektin, duke deklaruar se ai është plotësisht i ligjshëm dhe se mbrojtja e habitateve natyrore do të garantohet.

Kushner nuk iu përgjigj kërkesave të Reuters për koment. Ndërkohë, kompania zhvilluese, Sazan Real Estate Development LLC, nuk dha përgjigje lidhur me konfliktin e pronësisë, por referoi në një deklaratë të kryetarit të saj, Asher Abehsera.

“Qëllimi ynë është i thjeshtë: të vlerësojmë bukurinë natyrore të Shqipërisë, të krijojmë vende pune dhe të ndërtojmë diçka për të cilën brezat e ardhshëm mund të jenë krenarë”, deklaroi ai.

Sipas Reuters, peizazhi i zonës tërhoqi vëmendjen e Jared Kushner dhe Ivanka Trump disa vite më parë, kur ata e vizituan nga deti me jaht. Edi Rama tha se interesi për investimin u konkretizua më vonë gjatë një takimi në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Në vitin 2024, Kushner prezantoi publikisht projektin në rrjetet sociale, duke publikuar ilustrime të resortit që përfshijnë hotele, vila, pishina dhe struktura turistike pranë bregdetit. Por për banorët e Zvernecit, çështja kryesore mbetet pronësia e tokës.

Sipas avokatit të tyre, Kostandin Beko, ata po përgatisin kërkesa gjyqësore për të pezulluar projektin deri në sqarimin përfundimtar të statusit të pronave. Reuters vëren se konfliktet e pronësisë vazhdojnë të jenë një problem i rëndësishëm në Shqipëri.

Gjatë regjimit komunist, shumë prona private u shtetëzuan, ndërsa pas viteve ’90 procesi i kthimit të tyre shpesh është shoqëruar me mosmarrëveshje, dokumentacion të paplotë dhe procese të gjata gjyqësore.

Në qendër të konfliktit aktual ndodhet Artur Shehu, personi që ka shitur tokën e kontestuar. Sipas banorëve, ai nuk kishte të drejtë ta bënte këtë. Ata argumentojnë se një vendim gjykate i vitit 2013 njohu të drejtat e tyre mbi pronën. Shehu e apeloi vendimin dhe procesi vazhdon ende.

Reuters nuk arriti të kontaktojë Shehun, por kujton se ai deklaroi në një emision televiziv shqiptar se pretendimi i tij mbi pronën është “i padiskutueshëm”. Ai tha gjithashtu se jeton prej 26 vitesh në Miami dhe se tokën e ka shitur përmes një ndërmjetësi, pa ditur identitetin e blerësit përfundimtar.

Kryeministri Rama i hodhi poshtë argumentet se ekzistenca e një procesi gjyqësor duhet të bllokojë investimin. “Vetëm fakti që ka një proces gjyqësor nuk do të thotë automatikisht se prona është e ngrirë”, deklaroi ai për Reuters.

Banorët këmbëngulin se posedojnë dokumente të lëshuara nga autoritetet shqiptare në vitet 1990, kur tokat iu rikthyen familjeve pas rënies së komunizmit. Ata thonë se nuk u pyetën kurrë për shitjen dhe nuk morën asnjë përfitim financiar.

“Ne mendonim se Rama do të na ofronte një zgjidhje ose kompensim”, tha 84-vjeçari Thoma Kola. Tensionet u përshkallëzuan në muajin maj, kur një gardh i madh kufizoi hyrjen në zonë dhe aksesin drejt detit.

Përplasjet mes banorëve dhe rojeve private të sigurisë lanë disa të plagosur, ndërsa pamjet e incidentit u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale.

Megjithëse gardhi është hequr dhe makineritë janë larguar përkohësisht, banorët mbeten të shqetësuar për të ardhmen e zonës.“Kur dëgjova se kishin bllokuar hyrjen në det, nuk fjeta për 15 ditë”, tha banori Stavri Hysa.

“Nuk jam dakord që pjesë të plazhit t’u jepen privatëve. Kjo duhet të mbetet pronë publike”- shton ai .Për momentin, konflikti mbetet i pazgjidhur.

Nga njëra anë qëndron një prej projekteve më të mëdha turistike të planifikuara ndonjëherë në Shqipëri; nga ana tjetër, banorë që pretendojnë se po humbasin tokën e trashëguar prej brezash.

Rezultati i betejës ligjore pritet të përcaktojë jo vetëm fatin e projektit, por edhe mënyrën se si Shqipëria do të përballet me plagët e vjetra të pronësisë që vazhdojnë të ndikojnë zhvillimin e saj.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick