Ish-ministri socialist Ditmir Bushati: Atdheu ka nevojë për shkundje!

Facebook
WhatsApp

Ish-Ministri i Jashtëm, reagoi pas deklaratës së 123 akademikëve dhe studiuesve shqiptarë të diasporës që kanë shprehur mbështetje për protestat qytetare dhe kërkesën për një “Shqipëri të re”. Sipas Bushatit, angazhimi i elitës akademike shqiptare jashtë vendit përbën një akt të rëndësishëm përgjegjësie qytetare dhe patriotike, duke theksuar rolin e diasporës në proceset e ndryshimit demokratik në vend.

Ai thekson se “Atdheu ynë ka nevojë për një shkundje dhe se kontributi i diasporës është i pazëvendësueshëm”.

“Nuk ka gjë më patriotike sesa kur ajka e kombit në diasporë shpreh gadishmërinë për ripërtëritjen demokratike, një model të ri politik, ekonomik e social për vendin. Për një patriotizëm të ri që mbron dhe promovon demokracinë në çdo sferë të pushtetit dhe shoqërisë. Në thelb të të cilit është siguria e qytetarëve, të drejtat e tyre, mundësitë e barabarta për të gjithë, një ekonomi që bazohet në dije, solidariteti dhe kohezioni social.

Beteja për ripërtëritjen demokratike të vendit nuk ka qenë kurrë e lehtë dhe as përpjekje e një personi të vetëm. Përkundrazi, është betejë e përditshme kolektive që kërkon strategji, përqendrim forcash, etikë, ide dhe guxim. Atdheu ynë ka nevojë për një shkundje. Kontributi i diasporës është i pazëvendësueshëm”- shkruan Bushati.

Reagimi i tij vjen pasi 123 akademikë, profesorë, studiues dhe kërkues shkencorë shqiptarë nga Gjermania, Britania e Madhe, SHBA, Zvicra, Italia, Franca, Belgjika, Austria, Holanda, Danimarka, Norvegjia dhe vende të tjera publikuan një deklaratë në mbështetje të protestës qytetare dhe kërkesës për një “Shqipëri të re”.
Në deklaratën e tyre, akademikët shprehen se shumë nga problemet me të cilat përballet Shqipëria janë pasojë e dështimeve të përsëritura politike dhe institucionale që kanë dobësuar besimin e qytetarëve te shteti dhe te drejtësia.

Ata e lidhin krizën aktuale edhe me gjendjen e arsimit, shkencës dhe inovacionit, duke argumentuar se për dekada me radhë këto sektorë janë lënë pas dore përmes nënfinancimit, mungesës së meritokracisë dhe ndërhyrjeve politike.
“Pa arsim cilësor, pa kërkim shkencor serioz, pa inovacion dhe pa meritokraci, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi konkurruese apo institucione të forta demokratike”, thuhet në deklaratë.
Akademikët nënvizojnë gjithashtu se Shqipëria po humbet prej vitesh një pjesë të konsiderueshme të të rinjve dhe profesionistëve të saj më të kualifikuar, ndërsa shprehin gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën dhe përvojën e tyre në ndërtimin e institucioneve serioze dhe reformimin e vendit.

Deklarata e tyre konsiderohet si një nga reagimet më të gjera të diasporës akademike shqiptare në vitet e fundit mbi zhvillimet politike dhe shoqërore në Shqipëri.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick