Qytetarët vijuan edhe këtë të enjte protestën para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të klasës politike. Organizatorët njoftuan se tubimi i së shtunës pritet të jetë më i madhi deri tani, me pjesëmarrjen e shqiptarëve nga diaspora.
Protesta kundër qeverisë vazhdoi sonte në ditën e saj të 20-të radhazi. Mijëra qindra qytetarë u mblodhën fillimisht në Sheshin Skënderbej dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë. Me pankarta, thirrje përmes megafonëve dhe fjalime të ndryshme, protestuesit kërkuan largimin e qeverisë dhe denoncuan, sipas tyre, korrupsionin, keqqeverisjen dhe mungesën e investimeve në shërbimet publike.
Një banor i zonës së Astirit deklaroi se një mobilizim i tillë qytetar nuk është parë në 35 vitet e fundit. Ai akuzoi klasën politike se ka dështuar të zgjidhë problemet e qytetarëve dhe theksoi se protesta nuk synon marrjen e pushtetit, por kundërshtimin e abuzimeve dhe korrupsionit. Sipas tij, shpresa për ndryshim mbetet te rinia, e cila duhet të marrë përgjegjësi më të mëdha në jetën politike të vendit.
Gjatë tubimit, protestues të tjerë kërkuan bashkim përtej ndarjeve politike, duke theksuar se pjesëmarrësit në shesh janë qytetarë që përfaqësojnë interesat e vendit dhe jo krahë të caktuar politikë. U ngritën gjithashtu shqetësime për gjendjen e spitaleve, arsimit dhe standardet e ndërtimeve në vend.
Një tjetër temë e diskutuar ishte heqja e gardhit në zonën e Kakomesë. Një protestues pretendoi se autoritetet u tërhoqën pas presionit publik dhe paralajmërimeve për mobilizim qytetar në terren, duke e cilësuar këtë si një fitore të protestës.
Ndërkohë, aktivisti Arben Kola deklaroi se protesta do të vijojë pa përfshirjen e figurave politike dhe pa negociata me klasën aktuale politike. Ai u bëri thirrje bizneseve në Tiranë që të mbyllin aktivitetin dhe t’i bashkohen protestës, duke argumentuar se mobilizimi duhet të shtrihet në të gjitha shtresat e shoqërisë. Sipas tij, vetëm një pjesëmarrje më e gjerë qytetare mund të ushtrojë presion për ndryshimet e kërkuara.
Kola njoftoi gjithashtu se në ditët në vijim pritet ardhja e mijëra shqiptarëve nga diaspora për t’iu bashkuar protestës. “Nesër vjen mërgata”, deklaroi ai, duke paralajmëruar një tubim më të madh gjatë fundjavës dhe një zgjerim të mëtejshëm të mobilizimit qytetar.









