Protestuesit u tërhoqën zvarrë para Kuvendit, reagon eurodeputetja

Facebook
WhatsApp

Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus, u shpreh se nuk mund të komentonte rrethanat konkrete të ngjarjes, por ritheksoi se “dhuna nuk është kurrë e pranueshme”.

Eurodeputetja gjermane e grupit të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian, Jutta Paulus, ka reaguar pas incidenteve mes protestuesve dhe policisë në Tiranë, duke theksuar se çdo formë dhune është e papranueshme.

Në një prononcim për Politico, Paulus tha se kishte marrë pjesë në protestën e së hënës, ku, sipas saj, atmosfera ishte plotësisht paqësore dhe karakterizohej nga prania e shumë familjeve dhe fëmijëve. E pyetur për përplasjet e së martës, në të cilat nuk ishte e pranishme, eurodeputetja u shpreh se nuk mund të komentonte rrethanat konkrete të ngjarjes, por ritheksoi se “dhuna nuk është kurrë e pranueshme”.

Përplasjet para Kuvendit shënuan një përshkallëzim të protestave, të cilat prej më shumë se një muaji ishin zhvilluar kryesisht në mënyrë paqësore. Rreth 200 protestues u mblodhën përpara Parlamentit gjatë mbërritjes së deputetëve për seancën plenare.

Gjatë protestës u hodhën vezë drejt automjeteve të disa deputetëve, ndërsa policia ndërhyri duke shoqëruar me forcë gjashtë aktivistë.Pas ndalimeve, protestuesit marshuan drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku kërkuan lirimin e të arrestuarve dhe akuzuan efektivët për përdorim të tepruar të forcës.Në mbështetje të protestuesve kanë qëndruar edhe eurodeputetet Ilaria Salis, Tineke Strik dhe Anna Strolenberg, të cilat ndodhen në Tiranë për të ndjekur nga afër zhvillimet.

Edhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) reagoi pas incidenteve të ndodhura gjatë protestës së djeshme para Kuvendit, duke shprehur shqetësim për mënyrën e ndërhyrjes së Policisë së Shtetit ndaj protestuesve. Në një deklaratë publike, KShH thekson se, bazuar në pamjet e publikuara në media, ndërhyrja e policisë është shoqëruar me përdorim të forcës fizike, shoqërimin e protestuesve në komisariat dhe raste të tërheqjes zvarrë të tyre, duke evidentuar ngjashmëri me ngjarjet e protestës në Zvërnec rreth një muaj më parë.

Sipas organizatës, e drejta për tubim paqësor garantohet nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa çdo kufizim i saj duhet të jetë i parashikuar me ligj, i domosdoshëm dhe proporcional. KShH kujton gjithashtu se jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut kërkon që autoritetet të tregojnë tolerancë ndaj tubimeve paqësore dhe që përdorimi i forcës të jetë masa e fundit.

Deklarata e plotë:

Bazuar në pamjet e bëra publikë ne media, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) shpreh shqetësim për incidentet e datës së sotshme, përpara Kuvendit të RSH, ku ndërhyrja e policisë u shoqërua me përdorim force fizike, shoqërim protestuesish në komisariat dhe pamje që tregojnë tërheqjen zvarrë të protestuesve, me elementë të ngjashëm nga pamjet e protestës së Zvernecit të një muaji më parë, ku një protestues u tërhoq zvarrë nga dy shtetas civilë.

E drejta për tubim paqësor garantohet nga neni 47 i Kushtetutës dhe neni 11 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Çdo kufizim i kësaj të drejte duhet të jetë i parashikuar me ligj, i domosdoshëm dhe proporcional, referuar nenit 17/1 të Kushtetutës dhe nuk duhet të cenojnë thelbin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe as të tejkalojë kufizimet e KEDNJ-së, referuar nenit 17/2 të Kushtetutës.

KShH vëren se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (GjEDNJ) ka theksuar vazhdimisht se autoritetet shtetërore duhet të tregojnë një shkallë tolerance ndaj tubimeve paqësore dhe se forca është mjeti i fundit (Kudrevičius dhe të tjerë k. Lituanisë [DhM], 2015; Oya Ataman k. Turqisë, 2006). Tërheqja zvarrë dhe forca fizike ndaj protestuesve ngrenë shqetësime në raport me nenin 25 të Kushtetutës dhe nenin 3 të KEDNJ, të cilët mbrojnë dinjitetin dhe integritetin e personit. GJEDNJ ka ritheksuar se respektimi i dinjitetit njerëzor është thelbësor edhe në mënyrën se si autoritetet policore sillen me qytetarët (Bouyid k. Belgjikës [DhM], 2015).

KShH vlerëson se duke qenë se protesta prej rreth një muaji është zhvilluar në përgjithësi paqësisht, sikurse është pasqyruar gjerësisht edhe në median vendase e ndërkombëtare, çdo përdorim force duhej të ishte masë e fundit dhe rreptësisht proporcional, në përputhje me ligjin nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”.

KShH u bën thirrje autoriteteve të garantojnë ushtrimin efektiv të së drejtës për protestë paqësore, të respektojnë standardet konventore dhe kushtetuese për përdorimin e forcës, të shmangen format e kufizimit të lirisë, dhe atëherë kur ato zbatohen si masa e fundit proporcinale, të sigurohet për çdo person të shoqëruar respektimi i garnacive ligjore procedurale. KShH i bën thirrje organit të prokurorisë të hetojë në mënyrë të pavarur e efektive çdo pretendim për përdorim të tepruar force nga protestuesit.

Njëkohësisht, KShH u bën thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të ushtrojnë të drejtën e tyre paqësisht dhe të shmangin çdo veprim që përshkallëzon situatën.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick