Kreu i SPAK, i bëri thirrje sot Komisionit të Reformës Zgjedhore për një qasje të re ndaj ndëshkimit të krimeve zgjedhore, duke kërkuar masa të diferencuara sipas rolit të autorëve. Ai theksoi se lufta ndaj korrupsionit zgjedhor duhet të mbështetet në hetime proaktive, bashkëpunim institucional dhe kontroll financiar për të mbrojtur integritetin e votës.
Në raportimin e tij para Komisionit të Reformës Zgjedhore, kreu i SPAK, Klodian Braho, kërkoi një rishikim të thellë të politikës penale për krimet zgjedhore, duke argumentuar se ndëshkimi duhet të jetë proporcional me përgjegjësinë dhe rolin që secili individ ka në skemat e manipulimit të procesit zgjedhor.
Sipas tij, një zgjedhës vulnerabël nuk mund të trajtohet njësoj si organizatorët, kandidatët, financuesit apo zyrtarët publikë që përdorin pushtetin për të deformuar vullnetin e qytetarëve.
Braho theksoi se sa më i madh të jetë roli organizativ, politik apo financiar i një personi në një vepër penale zgjedhore, aq më i ashpër duhet të jetë reagimi i shtetit. Ai argumentoi se një qasje e tillë do të rriste efektivitetin e ndëshkimit, por edhe efektin parandalues, duke forcuar mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve.
Në fjalën e tij, kreu i SPAK vlerësoi përvojën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, duke e cilësuar atë si një model praktik që tregoi se koordinimi i hershëm mes institucioneve dhe shkëmbimi në kohë reale i informacionit sjellin rezultate më të mira në luftën kundër krimit zgjedhor.
Ai sqaroi se kjo përvojë nuk duhet parë si një zgjidhje përfundimtare, por si bazë për ndërtimin e një mekanizmi të qëndrueshëm kombëtar kundër shkeljeve zgjedhore.
Braho bëri të ditur se prioriteti i SPAK mbetet zhvillimi i hetimeve të bazuara në prova dhe jo në perceptime, duke garantuar reagim të shpejtë brenda standardeve procedurale. Ai shtoi se institucioni synon të zhvillojë hetime më proaktive dhe më të thelluara, të cilat të mos kufizohen vetëm gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, por të shtrihen gjatë gjithë ciklit zgjedhor përmes analizës së riskut në zona të ndryshme të vendit.
Një nga elementët kryesorë të deklaratës së Brahos ishte nevoja që hetimet për krimet zgjedhore të ndjekin gjurmën e parasë. Sipas tij, vetëm duke identifikuar burimet e financimit, mënyrën e shpërndarjes së fondeve dhe përfituesit realë, është e mundur të zbulohen jo vetëm personat që japin apo marrin përfitime, por edhe ndërmjetësit, organizatorët dhe strukturat që përfitojnë nga deformimi i votës.
Ai theksoi gjithashtu se korrupsioni zgjedhor nuk duhet parë si një akt i izoluar individual, pasi në shumë raste blerja e votës realizohet për interesa të subjekteve politike, kandidatëve apo grupeve të interesit që synojnë të ndikojnë rezultatin e zgjedhjeve.
Për këtë arsye, sipas tij, hetimet duhet të fokusohen edhe te strukturat organizative që qëndrojnë pas këtyre skemave.
Braho kujtoi se raportet përfundimtare të OSBE/ODIHR kanë evidentuar vazhdimisht problematika si shitblerja e votës, presioni ndaj zgjedhësve dhe administratës publike, përdorimi i burimeve shtetërore dhe mangësitë në financimin e fushatave elektorale.
Ai nënvizoi se mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve nuk është çështje debati politik, por një detyrim që lidhet drejtpërdrejt me sundimin e ligjit.
Duke folur për sfidat e hasura gjatë zgjedhjeve të vitit 2025, kreu i SPAK pranoi se një nga vështirësitë kryesore ishte sigurimi i provave dhe mungesa e një strukture të dedikuar në terren, çka e detyroi institucionin të mbështetej në bashkëpunimin me Policinë e Shtetit.
Ai propozoi që mekanizmi i bashkëpunimit ndërinstitucional të nisë të paktën katër muaj para ditës së votimit dhe të vijojë deri në përfundimin e procesit të numërimit, në mënyrë që hetimet dhe masat parandaluese të jenë më efektive.
Në përfundim, Braho shprehu gatishmërinë e SPAK për të kontribuar me analizë, ekspertizë dhe të dhëna konkrete në punën e Komisionit të Reformës Zgjedhore, me synimin për ndërtimin e një kuadri më të fortë ligjor dhe institucional që garanton zgjedhje të lira, të ndershme dhe mbrojtjen e votës së qytetarëve.









