Gazmend Bardhi ngriti në Parlamentin Evropian shqetësime edhe për pastrimin e parave, duke iu referuar hetimeve të autoriteteve ligjzbatuese në Belgjikë, Holandë, Itali, Gjermani dhe Francë, të cilat, sipas tij, kanë evidentuar organizata shqiptare të trafikut ndërkombëtar të kokainës që investojnë të ardhurat në sektorët e ndërtimit dhe turizmit në Shqipëri.
Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociim Shqipëri–Bashkimi Evropian nuk ka arritur të miratojë një rezolutë të përbashkët lidhur me procesin e integrimit në BE të Shqipërisë.
Shkak u bë mungesa e dakordësisë mes përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Pavarësisht diskutimeve, mazhoranca dhe opozita mbetën në qëndrime të kundërta, duke bërë të pamundur miratimin e një dokumenti të përbashkët me Parlamentin Evropian.
Përmes një deklarate për mediat selia blu pretendon se “PS vendosi të refuzojë më shumë se 30 amendamente të propozuara nga PD, që morën edhe mbështetjen e eurodeputetëve”.
Mazhoranca votoi kundër propozimeve që synonin intensifikimin e luftës kundër korrupsionit, heqjen dorë nga mbrojtja politike që u ofrohet zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, zbatimin e vendimeve të gjykatave, në veçanti të Gjykatës Kushtetuese, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit, transparencës dhe llogaridhënies.
Ndarjet mes palëve u reflektuan edhe gjatë seancave të një dite më parë, ku kryetarët e grupeve parlamentare, Taulant Balla dhe Gazment Bardhi, paraqitën para eurodeputetëve vizione të ndryshme për situatën politike në vend.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian se sfida kryesore për Shqipërinë mbetet garantimi i shtetit të së drejtës, duke ngritur pyetjen nëse ligji është më i fortë se pushteti.
Në deklaratën e tij, Bardhi ngriti shqetësime edhe për pastrimin e parave, duke iu referuar hetimeve të autoriteteve ligjzbatuese në Belgjikë, Holandë, Itali, Gjermani dhe Francë, të cilat, sipas tij, kanë evidentuar organizata shqiptare të trafikut ndërkombëtar të kokainës që investojnë të ardhurat në sektorët e ndërtimit dhe turizmit në Shqipëri.
Ai shtoi se, sipas një dosjeje të fundit të SPAK-ut, provat e ardhura nga autoritetet belge dokumentojnë takime mes funksionarëve të lartë shtetërorë dhe personave të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge. Bardhi tha gjithashtu se opozita kishte kërkuar interpelancë me Kryeministrin për çështjen e pastrimit të parave, si dhe ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, por të dyja kërkesat janë refuzuar.
Ndërkohë Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në Strasburg është shprehur se projekti i zhvillimit në Zvërnec do të ecë përpara vetëm në respektim të plotë të standardeve ligjore dhe mjedisore.
Duke iu referuar diskutimeve mbi këtë investim, Balla ka theksur se zona ka rëndësi të veçantë ekologjike dhe se çdo zhvillim do t’i nënshtrohet vlerësimit të plotë të ndikimit në mjedis, konsultimeve publike dhe miratimeve nga autoritetet përgjegjëse.









