Kryedemokrati kritikoi paraqitjen e kryeministrit Edi Rama në samitin e NATO-s, duke pretenduar se ai u kthye “i përçmuar” dhe pa mbështetje nga liderët ndërkombëtarë. Kreu i PD-së u ndal edhe tek ndalimi ne kufi i 3 deputetëve të koalicionit VLEN në kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe akuzoi qeverinë për tensionim të marrëdhënieve me vendet fqinje.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar pjesëmarrjen e kryeministrit Edi Rama në samitin e NATO-s, duke e cilësuar atë një dështim diplomatik për kreun e qeverisë. Gjatë një konference për mediat, Berisha pretendoi se Rama nuk arriti të ketë rol në aktivitetet e samitit dhe se u shfaq i izoluar nga liderët e tjerë.
Sipas tij, kryeministri shqiptar hyri dhe doli nga samiti “si i vetmi njeri i përçmuar”, ndërsa e akuzoi se u përpoq të tërhiqte vëmendjen përmes paraqitjes së tij me atlete të bardha.
“E patë vetë në samit. Aty ishte njeriu më i vetmuar. Nuk ka një foto, nuk ka një fjalë. Ka vetëm atletet e tij”, deklaroi Berisha.
Ai pretendoi se gjatë darkës presidenciale të organizuar në kuadër të samitit, protokolli turk nuk e kishte lejuar Ramën të merrte pjesë me atletet që kishte veshur dhe se kryeministri ishte detyruar të ndryshonte veshjen.
“Protokolli turk, në darkën presidenciale, i nxori kartonin e kuq: ‘S’mund të vish’. U detyrua të kthehej dhe të zbriste te këpucët normale për ngjarje të tilla”, tha Berisha.
Kreu i PD-së shtoi se Rama kishte paralajmëruar një dalje të përbashkët për mediat me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, por sipas tij ajo nuk ndodhi. Berisha pretendoi se përtej diskutimeve për paraqitjen e tij, kryeministri nuk pati ndonjë rezultat konkret nga pjesëmarrja në samit.
Më pas, Berisha u ndal te ndalimi i tre deputetëve të koalicionit shqiptar VLEN në Maqedoninë e Veriut në pikën kufitare të Qafë Thanës. Ai e cilësoi ngjarjen një skandal diplomatik dhe një akt që, sipas tij, cenon marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Deputetët Bekim Çoku, Adnan Hazizi dhe Hasim Myrtezani, sipas Berishës, udhëtonin me pasaporta diplomatike, por u ndaluan nga autoritetet shqiptare. Ai pretendoi se ata u trajtuan “sikur të ishin terroristë” dhe jo përfaqësues të zgjedhur të shqiptarëve në vendin fqinj.
“Ky është një akt që shkel marrëveshjet midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe marrëveshjet ndërkombëtare, pasi këta persona kishin pasaporta diplomatike”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama dhe ministrin e Brendshëm për këtë veprim, duke thënë se Partia Demokratike e dënon atë me forcë. Sipas tij, ngjarja dëmton fqinjësinë e mirë dhe përbën një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme.
Berisha kritikoi gjithashtu deklaratat e Ramës për pretendime mbi ndërhyrje të vendeve të tjera në zhvillimet politike në Shqipëri, veçanërisht ndaj Greqisë dhe Kosovës. Ai tha se këto akuza krijojnë një klimë të panevojshme tensioni me shtetet fqinje.
“Shqipëria ka marrëdhëniet më të mira me këto vende dhe shkëmbimet më intensive. Përpjekja për të fajësuar fqinjët është një mënyrë për të shmangur përgjegjësinë politike”, u shpreh Berisha.









