Sulmet vijnë në një kohë kur situata në Lindjen e Mesme mbetet tepër e tensionuar. Autoritetet e vendeve të Gjirit po ndjekin nga afër zhvillimet dhe po marrin masa shtesë për garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini kanë aktivizuar sistemet e alarmit dhe mbrojtjes ajrore në orët e para të mëngjesit, pas sulmeve me raketa dhe dronë të kryera nga Irani. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në ambiente të sigurta, ndërsa tensionet në rajon vijojnë të jenë të larta.
Ministria e Mbrojtjes së Emirateve të Bashkuara Arabe deklaroi se sistemet e mbrojtjes ajrore janë vënë në funksion për të neutralizuar raketat dhe dronët e nisur nga Irani.
Në Doha, kryeqytetin e Katarit, banorët raportuan shpërthime, ndërsa një gazetar i AFP bëri të ditur se në qiell shiheshin raketa që po goditeshin dhe neutralizoheshin nga sistemet mbrojtëse.
Qeveria e Katarit dërgoi njoftime emergjente në telefonat celularë të qytetarëve, duke u kërkuar atyre të qëndrojnë në shtëpi deri në një njoftim të ri. Ndërkohë, sirenat e alarmit u dëgjuan edhe në Bahrein, ku Ministria e Brendshme u bëri apel qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të drejtohen në zona të mbrojtura.









