Protesta para Kryeministrisë vijoi për të 43-ën ditë radhazi, me pjesëmarrjen e mijëra qytetarëve që kërkojnë ndryshim politik dhe largimin e kryeministrit Edi Rama. Tubimit iu bashkua edhe një turist nga Suedia, i cili mbajti një fjalim që u prit me duartrokitje nga të pranishmit.
Për të 43-ën ditë radhazi, mijëra qytetarë u mblodhën këtë të shtunë para godinës së Kryeministrisë, duke vijuar një protestë që organizatorët e cilësojnë si një lëvizje të qëndrueshme qytetare në kërkim të ndryshimit politik. Ata kanë deklaruar se tubimet do të vazhdojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Me flamuj kombëtarë në duar dhe pankarta me mesazhe kundër qeverisë, protestuesit mbushën bulevardin përpara Kryeministrisë, ndërsa gjatë gjithë tubimit u dëgjuan thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si dhe slogane që kërkonin një qeverisje më të përgjegjshme dhe më transparente.
Sipas pjesëmarrësve, pakënaqësia lidhet me një sërë çështjesh që prekin jetën e përditshme të qytetarëve, duke nisur nga korrupsioni dhe ekonomia, deri te standardi i jetesës dhe perspektiva për të ardhmen e vendit.
Një prej qytetarëve që mori pjesë në protestë tha se motivi kryesor i angazhimit të tij është dëshira për t’u siguruar fëmijëve një të ardhme në Shqipëri.
“Kam dalë në protestë për fëmijët e mi, sepse dua t’i rris në Shqipëri. Nuk dua të marrim rrugët e botës. Të gjithë shqiptarët e ndershëm duhet të jenë këtu, për të mbrojtur të drejtat tona dhe të ardhmen e vendit,” u shpreh ai.
Në vijim të deklaratës së tij, qytetari kritikoi klasën politike, duke theksuar se korrupsioni dhe krimi mbeten ndër shqetësimet më të mëdha që rëndojnë mbi jetën e qytetarëve. “Përballemi çdo ditë me korrupsionin që po na varros dhe me krimin që na rrethon. Të gjitha partitë, pa përjashtim, kanë përgjegjësi për gjendjen ku ndodhemi,” deklaroi ai.
Atmosfera gjatë protestës u karakterizua nga brohoritje, këngë patriotike dhe thirrje drejtuar institucioneve, ndërsa organizatorët ritheksuan vendosmërinë për të mos u tërhequr deri në arritjen e objektivave të shpallura.
Një moment i veçantë i tubimit ishte ndërhyrja e një turisti nga Suedia, i cili mori mikrofonin dhe shprehu mbështetjen e tij për protestuesit shqiptarë. Ai deklaroi se ishte i shqetësuar nga korrupsioni që, sipas tij, po dëmton vendin dhe u bëri thirrje qytetarëve të besojnë në forcën e tyre.
“Unë vij nga Suedia dhe jam i lodhur nga korrupsioni, nga politikanët që mendojnë vetëm për interesat e tyre. Ju jeni mazhoranca, ata janë minoranca. Është koha të merrni në dorë fatet e kombit tuaj,” tha ai, mes duartrokitjeve dhe brohoritjeve të pjesëmarrësve.
Me hyrjen në ditën e 43-të, protesta para Kryeministrisë mbetet një nga mobilizimet më të gjata qytetare të muajve të fundit, ndërsa organizatorët këmbëngulin se tubimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim.









