Tirana dhe Elbasani me nivelin më të lartë të ndotjes nga pluhuri

Facebook
WhatsApp

Raporti evidenton gjithashtu se Tirana mbetet qyteti më i zhurmshëm në vend. Monitorimi në 15 pika të ndryshme tregoi tejkalim të normave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës.

Tirana dhe Elbasani vijojnë të përballen me nivele shqetësuese të ndotjes së ajrit, ku grimcat e imëta të pluhurit (PM10) kanë tejkaluar kufijtë vjetorë të lejuar. Ky është përfundimi i Raportit për Gjendjen e Mjedisit 2025, të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit.

Në kryeqytet, monitorimi i cilësisë së ajrit u krye në dy stacione, “Tirana Higjena” dhe “Tirana Mobile”. Në stacionin “Tirana Higjena”, përqendrimi mesatar i grimcave PM10 arriti në 57.66 μg/m³, ose 44% mbi normën e lejuar, ndërsa u regjistruan 33 ditë me tejkalim të kufirit ditor. Raporti vlerëson se burimi kryesor i kësaj ndotjeje është trafiku i rënduar, ndërsa situata është përkeqësuar krahasuar me vitet 2023 dhe 2024.

Edhe niveli i ozonit tejkaloi kufijtë e lejuar në të dy stacionet monitoruese, megjithëse u vu re një përmirësim krahasuar me vitet e mëparshme. Për dioksidin e azotit (NO₂), u konstatuan tejkalime ose vlera shumë pranë kufirit në stacionin “Tirana Higjena”, ndërsa për monoksidin e karbonit (CO) rezultatet ishin të përziera, me përmirësim në një stacion dhe përkeqësim në tjetrin.

Raporti evidenton gjithashtu se Tirana mbetet qyteti më i zhurmshëm në vend. Monitorimi në 15 pika të ndryshme tregoi tejkalim të normave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) si gjatë ditës, ashtu edhe gjatë natës. Pika më problematike rezultoi zona e “Farmacia 10”, ku niveli i zhurmës arriti në 64.73 dB(A) gjatë ditës dhe 56.23 dB(A) gjatë natës, duke tejkaluar ndjeshëm kufijtë e rekomanduar.

Edhe Elbasani paraqet një situatë shqetësuese. Gjatë periudhës korrik-dhjetor 2025, niveli i PM10 arriti në 59.72 μg/m³, ose 49% mbi normën e lejuar, duke shënuar përkeqësim krahasuar me vitet 2020 dhe 2023. Sipas raportit, edhe në këtë qytet shkaku kryesor i ndotjes mbetet trafiku i rënduar rrugor.

Për më tepër, Elbasani ishte i vetmi qytet në Shqipëri ku u regjistrua tejkalim i vlerës kufi vjetore për dioksidin e azotit (NO₂), me 40.18 μg/m³, çka tregon një përkeqësim të mëtejshëm të cilësisë së ajrit. Ndërkohë, për dioksidin e squfurit (SO₂) dhe ozonin (O₃) nuk u konstatuan tejkalime, ndërsa për benzenin dhe monoksidin e karbonit nuk u regjistruan shkelje të normave, por u vu re një tendencë përkeqësimi krahasuar me vitet e kaluara.

Raporti përmend gjithashtu se gjatë vitit 2025 në Elbasan ka vijuar aktivitetin rafineria e përpunimit të naftës bruto “RBH Beline” sh.a., ndërsa ekspertët theksojnë se trafiku urban mbetet faktori dominues në ndotjen e ajrit në të dy qytetet më problematike të vendit.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick