Presidenti amerikan foli për çarmatosjen e Hamasit në disa faza, por fillimisht me një tërheqje graduale të Izraelit, e cila do të zëvendësohej nga një forcë ndërkombëtare stabilizimi që do të punonte në bashkëpunim me një forcë të re policore palestineze.
SHBA-të kanë njoftuar se “Bordi i Paqes” ka arritur një marrëveshje me Hamasin për çarmatosje dhe transferimin e kontrollin politik dhe ushtarak të Gazës te një qeveri palestineze në detyrë (Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës). Por marrëveshja kërkon që Hamasi dhe Izraeli të ndërmarrin një sërë hapash të vështirë gjatë shtatë deri në tetë muajve të ardhshëm.
Në një konferencë me gazetarët, një zyrtar amerikan shpjegoi se grupi palestinez do të dorëzonte armët në këmbim të tërheqjes përfundimtare të Izraelit nga Rripi i Gazës. Nga ana tjetër, një anëtar i Hamasit, Ghazi Hamad, konfirmoi për Al Jazeera se pas negociatave të vështira, ishte arritur një marrëveshje, por ai gjithashtu deklaroi se grupi palestinez nuk do të ndërmerrte asnjë hap në lidhje me çarmatimin përpara se Izraeli të tërhiqet nga Rripi i Gazës.
Edhe disa media izraelite kanë cituar burime zyrtare izraelite, ku thonë se ata nuk janë të gatshëm të pranojnë një tërheqje nga asnjë pjesë e Gazës derisa Hamasi të jetë çarmatosur plotësisht. Madje edhe deklaratat e presidentit, Donald Trump në Truth Social, lënë të kuptohet se tërheqja izraelite do të ndodhë vetëm pas çarmatimit të plotë të kundërshtarëve.
Presidenti amerikan e përshkroi marrëveshjen në Truth si një marrëveshje historike për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe të të gjitha grupeve të tjera të armatosura në Gaza. Trump foli për çarmatosjen e Hamasit në disa faza, por fillimisht me një tërheqje graduale të Izraelit, e cila do të zëvendësohej nga një forcë ndërkombëtare stabilizimi që do të punonte në bashkëpunim me një forcë të re policore palestineze.
“Sot, Bordi i Paqes arriti një marrëveshje HISTORIKE për ÇARMATIMIN E PLOTË të Hamasit dhe të gjitha grupeve të tjera të armatosura në Gaza. Ky është një hap monumental drejt PAQES dhe SIGURISË së qëndrueshme. Kjo marrëveshje është një hap kritik drejt qeverisjes së Gazës nga një qeveri e re palestineze që do të punojë ngushtë me Bordin e Paqes për të ndihmuar popullin palestinez. Në të njëjtën kohë, Izraeli do të ketë sigurinë që meriton, me Gazën që nuk do të përdoret më si bazë për sulme terroriste.
Ky është një moment i rëndësishëm në zbatimin e Planit 20-Pikësh të Trump. Marrëveshja do të zbatohet në faza të strukturuara me kujdes. Ndërsa çarmatimi përfundon, forcat izraelite do të tërhiqen dhe Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit do të punojë me një forcë të re policore palestineze për të marrë përgjegjësinë që Gaza të jetë e sigurt për banorët e saj dhe fqinjët e saj.
Një vit më parë pati një luftë të dhunshme, krizë humanitare dhe pengje të mbajtura në robëri brutale. Ne kemi bërë përparim historik dhe ka ende shumë punë për të bërë. Dua të falënderoj ndërmjetësit – Egjiptin, Katarin dhe Turqinë – për përpjekjet e tyre të rëndësishme, dhe veçanërisht ekipin tim të shquar, puna e palodhur e të cilit e bëri të mundur këtë përparim historik.
Kërcënimi që doli nga Gaza më 7 tetor NUK do të lejohet të rindërtohet! Sipas kësaj marrëveshjeje, Gaza më në fund do të jetë në duart e një qeverie të re palestineze që i shërben POPULLIT të saj. URIME TË GJITHËVE PËR KËTË ZHVILLIM TË MREKULLUESHËM, QË TË GJITHË THASHIN SE NUK MUND TË ARRITET KURRË!” shkruan Trump në platformën Truth Social.









