Greqia në luftë me flakët, evakuohen mijëra banorë dhe turistë 

Facebook
WhatsApp

Zjarri në jug të Kretës, i cili shpërtheu më 29 korrik, ka djegur deri tani rreth 4.500 hektarë sipërfaqe, sipas të dhënave satelitore të programit evropian Copernicus Sentinel-2. Flakët kanë përfshirë banesa, biznese, ullishte, toka bujqësore dhe ferma blegtorale,

Greqia vijon të përballet me një valë zjarresh në disa rajone të vendit, ndërsa situata më e rëndë mbetet në ishullin e Kretës, ku flakët vazhdojnë të përhapen të favorizuara nga erërat e forta. Në disa zona, shpejtësia e erës ka kaluar 100 kilometra në orë, duke vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse si nga toka, ashtu edhe nga ajri.

Zjarri në jug të Kretës, i cili shpërtheu më 29 korrik, ka djegur deri tani rreth 4.500 hektarë sipërfaqe, sipas të dhënave satelitore të programit evropian Copernicus Sentinel-2. Flakët kanë përfshirë banesa, biznese, ullishte, toka bujqësore dhe ferma blegtorale, ndërsa në terren janë angazhuar qindra zjarrfikës dhe dhjetëra mjete për të frenuar avancimin e tyre.

Për shkak të rrezikut, mijëra banorë dhe turistë janë evakuuar nga fshatra dhe zona turistike në jug të ishullit. Në disa raste, evakuimet janë kryer edhe nga deti me mjete lundruese, ndërsa autoritetet kanë kërkuar nga qytetarët të respektojnë udhëzimet e mbrojtjes civile.

Ndërkohë, bilanci është rënduar edhe mes forcave të ndërhyrjes. Dy zjarrfikës humbën jetën në Kretë pasi mbetën të bllokuar nga flakët, ndërsa një tjetër humbi jetën gjatë operacioneve për shuarjen e një zjarri në Peloponez.

Paralelisht me betejën për shuarjen e flakëve, autoritetet greke kanë nisur hetimet për shkaqet e zjarrit në Kretë. Sipas mediave greke, në fokus të hetimit është rrjeti elektrik, ndërsa është arrestuar një përgjegjës lokal i operatorit të shpërndarjes së energjisë DEDDIE, i dyshuar për zjarrvënie nga pakujdesia. Hetuesit po verifikojnë nëse shkëndijat e krijuara nga linjat elektrike, të nxitura nga erërat e forta, ndezën bimësinë e tharë.

Vatra të reja janë regjistruar edhe në Greqinë Qendrore, ku flakët kanë hyrë në zona të banuara duke dëmtuar ferma, makineri bujqësore dhe ndërtesa, ndërsa banorët janë urdhëruar të largohen. Një tjetër zjarr është aktivizuar pranë Mikenës, në rajonin e Peloponezit, ku janë djegur ullishte dhe sipërfaqe me bimësi, duke detyruar autoritetet të mbyllin një segment të rrugës kombëtare dhe të urdhërojnë evakuime. Një vatër tjetër në të njëjtin rajon është vënë ndërkohë nën kontroll.

Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, Mbrojtja Civile greke ka mbajtur në fuqi nivelin 4 të rrezikut nga zjarret, që konsiderohet shumë i lartë, për Kretën, Atikën, pjesë të Peloponezit dhe Greqisë Qendrore. Autoritetet paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë edhe në ditët në vijim, ndërsa forcat zjarrfikëse vijojnë të jenë në gatishmëri maksimale

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick