Zjarri shpërtheu rreth orës 05:15 në një banesë në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road. Në momentin kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, kati i parë ishte përfshirë nga flakët, ndërsa tymi i dendur kishte mbushur katin e dytë.
Një ngjarje tragjike ka goditur një familje shqiptare në Jacksonville të Floridës, ku tre fëmijë kanë humbur jetën pasi një zjarr i fuqishëm përfshiu banesën e tyre dykatëshe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, 26 gusht. Katër persona të tjerë ndodhen në gjendje kritike.
Bilanci i rëndë është konfirmuar nga shefi i Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, Percy Golden. Dy fëmijë dhe dy të rritur janë transportuar në spital dhe raportohet se ndodhen në gjendje kritike.
Zjarri shpërtheu rreth orës 05:15 në një banesë në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road. Në momentin kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, kati i parë ishte përfshirë nga flakët, ndërsa tymi i dendur kishte mbushur katin e dytë.
Dy të rritur dhe dy fëmijë kishin mundur të dilnin nga banesa. Gjatë kontrollit të ndërtesës së përfshirë nga zjarri, ekipet zjarrfikëse gjetën tre fëmijët e tjerë pa shenja jete.
Sipas dëshmisë së një fqinji për mediat amerikane, edhe banorë të zonës u përfshinë në përpjekjet për shpëtimin e familjarëve. Ata arritën të nxirrnin nga një dritare e katit të dytë një foshnjë dhe një person të rritur.
Të afërmit që mbërritën në vendngjarje konfirmuan për mediat lokale se familja është me origjinë shqiptare. Pranë banesës ndodheshin edhe gjyshërit e fëmijëve, Alia dhe Artan Sulollari.
Pamjet e publikuara nga mediat amerikane tregojnë dëmet e mëdha që flakët i shkaktuan banesës, ndërsa në oborr shihen lodra fëmijësh dhe një kosh basketbolli.
Zjarri u vu nën kontroll rreth orës 05:40, por përveç banesës ku ndodhej familja, flakët prekën edhe dy njësi të tjera ngjitur.
Kryqi i Kuq Amerikan është angazhuar për t’u ardhur në ndihmë personave që kanë mbetur pa strehë pas zjarrit.
Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit, të cilat deri më tani nuk janë bërë të ditura.
Departamenti i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville ka shprehur ngushëllimet për familjen e tre fëmijëve që humbën jetën, si dhe solidaritet me personat e tjerë të prekur nga tragjedia.









