Protesta e 94-të kundër qeverisë është shoqëruar me tensione përpara Kryeministrisë. Protestuesit kanë bllokuar hyrjet e godinës, ndërsa policia ka vendosur kordon dhe forcat “Shqiponja” pranë institucionit.
Protesta e 94-të radhazi kundër qeverisë së Edi Ramës ka marrë këtë të martë një tjetër drejtim, me protestuesit që kanë zhvendosur fokusin nga tubimi në bulevard drejt godinës së Kryeministrisë.
Qytetarët u mblodhën fillimisht në Sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku nisën fjalimet dhe protestën. Por situata ndryshoi pasi protestuesit mësuan se kryeministri Edi Rama ndodhej brenda ambienteve të godinës qeveritare.
Një pjesë e protestuesve u pozicionuan pranë hyrjeve të Kryeministrisë, duke kërkuar që Rama të dilte përballë tyre. “Edi Rama, dil në bulevard”, “Dorëheqje” dhe “Ju erdhi fundi” ishin disa prej thirrjeve të përsëritura gjatë protestës.
Pranë godinës u vendosën forca të shumta policie, ndërsa më vonë në zonë mbërritën edhe forcat “Shqiponja”. Policia u bëri thirrje protestuesve të zhbllokonin rrugën dhe të mos pengonin qarkullimin, ndërsa mes protestuesve dhe efektivëve pati përplasje në disa momente.
Protestuesit kanë bllokuar dy hyrjet e Kryeministrisë, duke e kthyer tubimin në një përballje të drejtpërdrejtë me strukturat e sigurisë. Përballë kordonit dhe gardhit metalik të vendosur nga policia, protestuesit vijuan me thirrjet kundër qeverisë dhe kërkesën për largimin e kryeministrit.
Protesta e sotme vjen pas 94 ditësh tubimesh, gjatë të cilave qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe ndryshimin e klasës politike. Një prej thirrjeve të përsëritura gjatë protestave ka qenë “Rama në burg, Berisha në burg”, duke shprehur kërkesën për largimin dhe ndëshkimin e figurave kryesore të politikës shqiptare.
Edhe pankartat e protestuesve janë përqendruar te korrupsioni, gjendja e sistemit shëndetësor dhe përdorimi i fondeve publike. “Spitalet pa mjekë e pa mjekime, oligarkët tuaj pasurohen pa asnjë ndëshkim” dhe mesazhe të tjera të ngjashme janë shfaqur gjatë tubimit.
Protestuesit kanë paralajmëruar se gjatë shtatorit lëvizja mund të hyjë në një fazë të re, përmes formave të mosbindjes civile, ndërsa përplasja e sotme para Kryeministrisë shënon një ndryshim të dukshëm nga protestat e zhvilluara deri tani.









