Gjyqi ndaj Thaçit\BE: Palët të respektojnë vendimin e gjykatës!

Facebook
WhatsApp

Brukseli ka vlerësuar rëndësinë e punës së Dhomave të Specializuara në procesin e llogaridhënies dhe në njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre.

Bashkimi Europian u ka bërë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë vendimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës për katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Thirrja nga Brukseli vjen pak orë para marshit paqësor që do të zhvillohet sot në sheshet kryesore të Prishtinës dhe vetëm katër ditë para shpalljes së aktgjykimit në Hagë. Në një përgjigje për Gazetën Express, Bashkimi Europian ka përsëritur mbështetjen e tij për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

“Në prag të shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve dhe palëve që të respektojnë procedurat gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe vendimin”, thuhet në përgjigjen e Brukselit.

BE-ja ka nënvizuar mbështetjen e saj të vazhdueshme për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat i cilëson si “një institucion gjyqësor i pavarur”. Brukseli rikujton gjithashtu se institucioni është “themeluar me vendime të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015”.

“Parlamenti i Kosovës (përmes një amendamenti kushtetues) autorizoi zhvendosjen e procedurave në Hagë, për të ndihmuar në garantimin e procedurave gjyqësore të pavarura, të paanshme dhe të drejta në lidhje me pretendimet për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë”, thuhet në reagim.

Megjithatë, Bashkimi Europian ka sqaruar se aktgjykimi i 16 shtatorit nuk do të shënojë përfundimin e procesit gjyqësor, pasi vendimi mund të ankimohet nga të dyja palët.

“Ashtu si në të gjitha procedurat e tjera gjyqësore, ndaj aktgjykimeve të shkallës së parë mund të ushtrohet ankesë si nga mbrojtja, ashtu edhe nga prokuroria”.

Në përfundim, Brukseli ka vlerësuar rëndësinë e punës së Dhomave të Specializuara në procesin e llogaridhënies dhe në njohjen e përvojave të viktimave dhe familjeve të tyre.

Ndërkohë, në Prishtinë sot do të zhvillohet një marsh paqësor në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së. Marshimi do të nisë në orën 14:00 dhe pritet të mbledhë qytetarë nga e gjithë Kosova. Organizatorët dhe pjesëmarrësit kërkojnë drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Procesi gjyqësor në Hagë është shoqëruar gjatë gjithë kohës me kritika të shumta nga Kosova, ku Dhomat e Specializuara janë akuzuar për njëanshmëri.

Aktakuza e Prokurorit të Specializuar përmban 10 pika ndaj katër të akuzuarve, gjashtë prej të cilave lidhen me krime kundër njerëzimit dhe katër me krime lufte. Në fillim të këtij viti, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kërkuar dënime me një total prej 45 vitesh burgim për të akuzuarit.

Dhomat e Specializuara u krijuan në vitin 2015 dhe nisën funksionimin gjatë viteve 2016–2017, pas shkëmbimit të letrave mes Kosovës dhe BE-së, ndryshimeve kushtetuese dhe marrëveshjes me Holandën për zhvendosjen e procedurave në Hagë.

Krijimi i tyre erdhi pas një presioni të madh ndërkombëtar dhe të mbështetësve kryesorë të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Gjatë vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, në dhjetor të vitit 2015, Kosova u inkurajua të krijonte një gjykatë të posaçme për trajtimin e akuzave që lidheshin me konfliktin.

Ai kishte kërkuar “që Kosova të përmbushë angazhimin e saj për të krijuar një gjykatë speciale që mund të trajtojë çështjet që rrjedhin nga vite të tëra konflikti, në mënyrë që akuzat të mund të zgjidhen një herë e përgjithmonë dhe vendi të mund të pajtohet me të kaluarën”.

Disa muaj më herët, në korrik të vitit 2015, Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, kishte qenë edhe më e drejtpërdrejtë, pasi Specialja nuk kishte marrë miratimin e Parlamentit të Kosovës.

“Nëse nuk e krijoni ju vetë këtë gjykatë, nëse nuk ndërmerrni vetë hapat tuaj për drejtësi, nëse nuk ndërmerrni vetë hapat tuaj për t’i mbajtur njerëzit përgjegjës, atëherë komuniteti ndërkombëtar do ta bëjë këtë në vendin tuaj”, kishte deklaruar ajo.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick