Gjatë vizitave në Starbase, Maye ka treguar se fle në garazhin e Elon Musk dhe e konsideron këtë diçka krejt normale.
Të jesh nëna e një prej njerëzve më të pasur në botë nuk do të thotë domosdoshmërisht të jetosh mes luksit. Maye Musk, nëna 78-vjeçare e Elon Musk, ka treguar se kur viziton të birin në Starbase, qendrën e SpaceX në Teksas, ajo është krejtësisht e kënaqur të flejë në garazh.
Modelja dhe dietologia ka rrëfyer se gjatë jetës është mësuar me kushte të thjeshta dhe nuk e sheh si problem të flejë në një divan apo edhe në një dyshek të vendosur në dysheme.
“Nëse kam një divan ose një dyshek në dysheme, jam mirë”, është shprehur Maye, duke shtuar se për të edhe fakti që ka një çati mbi kokë mund të konsiderohet një luks.
Kjo mënyrë jetese nuk duket se e shqetëson as kur ndodhet pranë të birit. Gjatë vizitave në Starbase, Maye ka treguar se fle në garazhin e Elon Musk dhe e konsideron këtë diçka krejt normale.
Ajo e lidh këtë thjeshtësi me vitet e fëmijërisë, kur familja e saj bënte udhëtime dhe kampingje në shkretëtirën Kalahari. Për të, kushtet modeste nuk janë diçka e panjohur, pavarësisht jetës që mund të bëjë sot falë suksesit të saj dhe të fëmijëve.
Rrëfimi vjen në një moment kur Maye po promovon librin e saj të ri, “Timeless: The Art of Reinvention and Resilience at Any Age”, i publikuar më 15 shtator. Në libër, ajo sjell etapa të ndryshme të jetës së saj, nga vështirësitë personale dhe rritja e tre fëmijëve, deri te karriera shumëvjeçare si dietologe dhe modele.
Maye ka folur gjithashtu për martesën e saj me Errol Musk, të cilën e ka përshkruar si abuzive, si dhe për përpjekjet për të rindërtuar jetën dhe karrierën pas ndarjes.
Në moshën 50-vjeçare, ajo u zhvendos në Nju Jork, ku karriera e saj në modeling mori një tjetër hov. Edhe në moshën 78-vjeçare, Maye vazhdon të jetë aktive profesionalisht, duke dëshmuar se mosha nuk e ka ndalur nga puna dhe angazhimet e saj.









