“Bomba shpërthen pas një ore”. E-mail kërcënues në 150 institucione të vendit: Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë.
Një e-mail kërcënues ka mbërritur ditën e sotme në adresën e postës elektronike të institucioneve në vend, ditën e sotme.
Mësohet se mesazhi kërcënues u është dërguar rreth 150 institucioneve, nga një person që prezantohet si “udhëheqësi i milicisë serbe”.
Ai pretendon se ka vendosur një mjet shpërthyes në ndërtesën e institucionit, duke paralajmëruar se shpërthimi do të ndodhte pas një ore. Në përmbajtjen e e-mailit përfshihen edhe kërcënime të rënda ndaj shqiptarëve, ndërsa dërguesi shprehet se sulmet do të vazhdojnë deri në njohjen e Kosovës si tokë serbe.
“Përshëndetje. Jam udhëheqësi i Milicisë Serbe. Kemi ardhur të hakmerremi ndaj jush. Sapo kam vendosur personalisht një mjet shpërthyes në ndërtesën tuaj. Shpërthimi do të ndodhë pas një ore. Nga ju do të mbeten vetëm copa mishi. Do të vrasim shqiptarë derisa ta njihni Kosovën si territor të Serbisë. FAT TË MBARË”- thuhet në e-mail.

Pas marrjes së mesazhit, policia ka nisur punën për identifikimin e personit që qëndron pas dërgimit të e-mailit. Autoritetet po hetojnë rastin për të zbardhur rrethanat e plota të kërcënimit dhe për të verifikuar përmbajtjen e mesazhit.









