Gjatë përgjigjes ndaj pyetjes së një qytetari, kreu i demokratëve përdori tone të ashpra ndaj Ramës, duke e akuzuar se ka humbur çdo standard moral.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar ditën e sotme se kryeministri Edi Rama shfaqet në njërën prej videove të regjistruara nga Ergys Agasi, tashmë i arrestuar nga policia.
I pyetur nga qytetarët në rrjetet sociale lidhur me zërat që qarkullojnë për përmbajtjen e këtyre videove, Berisha deklaroi se disponon informacione për ekzistencën e një regjistrimi ku, sipas tij, shfaqet kreu i qeverisë. Megjithatë, ai nuk dha detaje të tjera dhe nuk paraqiti prova publike për pretendimin.
Gjatë përgjigjes, kreu i demokratëve përdori tone të ashpra ndaj Ramës, duke e akuzuar se ka humbur çdo standard moral.
“Në fakt, unë zonja Dushi e kam denoncuar këtë dhe informatat që unë kam, ai është i filmuar në një video. Por të garantoj një gjë, që ai person nuk turpërohet nga asnjë video, nga asnjë akt, nga asgjë. Ai ka humbur çdo standard moral të njeriut të qytetëruar”, deklaroi Berisha.
Pretendimi u bë në përgjigje të një pyetjeje të drejtuar nga një qytetare, e cila rikujtoi se Berisha kishte folur më herët në Parlament për videot e Ergys Agasit dhe kishte pretenduar se në to shfaqen edhe deputetë të Partisë Socialiste.
Pyetja e qytetares: “Doktor, në parlament ju folët për videot e Ergys Agasit ku deklaruat se shumë nga deputetët e Partisë Socialiste janë në ato video. Në publik qarkullon në rang thashethemi se në këto video shfaqet dhe Rama. Në informacionin tuaj, a ekziston një video e tillë?”
Përgjigjja e Sali Berishës: “Në fakt, unë zonja Dushi e kam denoncuar këtë dhe informatat që unë kam, ai është i filmuar në një video. Por të garantoj një gjë, që ai person nuk turpërohet nga asnjë video, nga asnjë akt, nga asgjë. Ai ka humbur çdo standard moral të njeriut të qytetëruar.”
Deri në këtë moment, deklarata e Berishës mbetet një pretendim i tij, pasi nuk janë bërë publike prova që të konfirmojnë ekzistencën ose përmbajtjen e videos së përmendur.









