Protesta e studentëve dhe aktivistëve u përshkallëzua në përplasje fizike, pas sulmeve ndaj godinës së ministrisë dhe ndërhyrjes së forcave të rendit. Raportohen persona të shoqëruar, protestues me plagë në fytyrë dhe efektivë të lënduar. Pas shpërndarjes së turmës, qytetarët u rikthyen para institucionit, duke vijuar thirrjet për dorëheqjen e ministres së Arsimit dhe kryeministrit Edi Rama.
Protesta e cila nisi rreth orës 14:00, u shndërrua brenda pak kohe në një përplasje të fortë mes protestuesve dhe policisë.
Tubimi, ku morën pjesë studentë, të rinj dhe aktivistë të grupimit “Flamingot”, nisi me thirrje kundër qeverisë, por situata u përshkallëzua kur një grup protestuesish të maskuar ndërmorën veprime kundër godinës së ministrisë.
Disa prej tyre shkulën kangjellat metalike dhe pllakat e trotuarit, me të cilat goditën rrethimin dhe dritaret e institucionit. Një portë u shemb, ndërsa disa protestues arritën të hynin në oborrin e ministrisë.
Në drejtim të godinës u hodhën gurë, vezë, shishe me ujë, kapsolla dhe fishekzjarrë. Fasada u njollos me bojë të kuqe, ndërsa në rrugë mbetën pllaka të thyera dhe sende të përdorura gjatë përplasjes.
Përballë përshkallëzimit, forcat e policisë ndërhynë duke krijuar një kordon sigurie dhe duke përdorur fillimisht spraj me piper. Më pas, në përpjekje për të shpërndarë turmën, u përdorën gaz lotsjellës dhe autoboti me ujë me presion.
Ndërhyrja i detyroi protestuesit të tërhiqeshin nga hyrja e ministrisë, por nuk arriti ta shuante menjëherë protestën. Gjatë operacionit pati përplasje fizike.
Pamjet e publikuara nga mediat tregojnë efektivë që kapin protestues dhe i tërheqin për t’i shoqëruar, ndërsa disa prej të rinjve bëjnë rezistencë. Gjatë ndërhyrjes u përdor forcë fizike dhe se një prej personave të shoqëruar u pa me fytyrën e gjakosur.
Deri në orën 17.00 ishin shoqëruar të paktën 16 persona. Pamjet dhe raportimet për përdorimin e forcës fizike gjatë shoqërimeve kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u krye ndërhyrja policore.
Por edhe nga radhët e policisë pati të lënduar. Raportohet per disa efektivë u transportuan me ambulancë pasi pësuan djegie në sy, të shkaktuara nga mjetet e hedhura gjatë protestës.
Në një moment tjetër të tensionuar, një i moshuar humbi ndjenjat në rrugë dhe u largua me ambulancë. Ndërkohë, ekspertët e kriminalistikës mbërritën në ambientet e ministrisë për të dokumentuar dëmet dhe për të mbledhur prova në zonat ku ishin thyer xhamat dhe dëmtuar rrethimi.
Protesta u shoqërua edhe me reagime politike. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u bëri thirrje efektivëve të mos përdorin dhunë ndaj studentëve, duke e cilësuar ndërhyrjen si “terror policor ndaj rinisë”.
Nga ana tjetër, Taulant Balla reagoi kundër veprimeve të protestuesve të maskuar, duke argumentuar se studentët nuk mund të identifikohen me ata që sulmojnë institucionet.









