Ndërsa Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ lidhur me përdorimin e forcës nga Policia e Shtetit gjatë protestës së zhvilluar këtë të martë në Tiranë, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar se 13 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas përshkallëzimit të protestës, mes tyre protestues, efektivë policie, përfaqësuese të medias dhe kalimtarë.
Sipas të dhënave zyrtare, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore si pasojë e ekspozimit ndaj gazit. Dy prej tyre janë larguar pas konsultës me mjekët, ndërsa i treti vijon ekzaminimet në urgjencë.
Në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë ndihmë mjekësore edhe dy përfaqësuese të medias. Pas ekzaminimeve, mjekët kanë lejuar largimin e tyre nga spitali, pasi kanë konstatuar se nuk kanë dëmtime që rrezikojnë jetën.
Ndërkohë, gjashtë efektivë të Policisë kanë marrë trajtim mjekësor për dëmtime nga mjete të forta, kryesisht në duar dhe këmbë. Sipas ministrisë, të gjashtë janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën.
Një tjetër kategori e personave që kanë kërkuar ndihmë mjekësore janë dy kalimtarë. Njëri prej tyre është shtruar në spital dhe do të vijojë trajtimin nën kujdesin e mjekëve, ndërsa tjetri po mbahet në monitorim.
Në njoftimin e saj, Ministria e Shëndetësisë nuk jep hollësi mbi rrethanat në të cilat janë dëmtuar dy kalimtarët dhe as mbi gjendjen konkrete të personit që ka përfunduar i shtruar në spital.
Ministria deklaron se strukturat shëndetësore vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri për të trajtuar persona të tjerë që mund të kërkojnë ndihmë mjekësore pas protestës.
Ndërsa Avokati i Popullit ka nisur një hetim administrativ lidhur me përdorimin e forcës nga Policia e Shtetit gjatë protestës së zhvilluar këtë të martë në Tiranë, e cila u shoqërua me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe efektivëve.
Përmes një reagimi zyrtar, institucioni njofton se hetimi është nisur me nismën e vet, në përmbushje të kompetencave ligjore, me qëllim vlerësimin e veprimeve të policisë gjatë menaxhimit të protestës.
Në fokus të hetimit do të jetë verifikimi nëse përdorimi i forcës nga efektivët ka qenë i domosdoshëm dhe proporcional, në përputhje me standardet e përcaktuara në nenet 2, 3 dhe 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që lidhen me të drejtën për jetën, ndalimin e trajtimit çnjerëzor ose degradues dhe lirinë e tubimit.
Ndërkohë, Avokati i Popullit ka angazhuar grupe monitorimi në terren, si dhe në ambientet e Bllokut të Sigurisë dhe në komisariatet ku mbahen personat e shoqëruar gjatë protestës.
Sipas njoftimit, monitorimi synon të verifikojë respektimin e të drejtave të këtyre personave, përfshirë të drejtën për ndihmë juridike nga një avokat, njoftimin e familjarëve dhe garantimin e ekzaminimit mjekësor.
Institucioni u ka bërë thirrje gjithashtu qytetarëve që pretendojnë se u janë shkelur të drejtat gjatë protestës, të paraqesin ankesa individuale pranë Avokatit të Popullit, në mënyrë që rastet të shqyrtohen sipas procedurave ligjore.
Hetimi administrativ është në fazën e verifikimit dhe deri më tani nuk është njoftuar ndonjë përfundim lidhur me ligjshmërinë apo proporcionalitetin e përdorimit të forcës nga policia.
Protesta e sotme zhvillohet pas 135 ditësh tubimesh paqësore para Kryeministrisë, por ka marrë një tjetër dinamikë për shkak të përplasjeve dhe kohëzgjatjes së saj.
Përtej tensioneve dhe incidenteve, thirrjet e studentëve nxjerrin në pah një element të rëndësishëm të protestës: pakënaqësia e shprehur sot nuk drejtohet vetëm ndaj qeverisë, por prek edhe përfaqësues të opozitës.









