Drejtori i Hekurudhave Shqiptare, Ergys Verdho, është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme
Drejtori i Hekurudhave Shqiptare, Ergys Verdho, është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme . Kjo është një tjetër paraqitje e tij pranë organit të posaçëm të akuzës, pas disa herëve të mëparshme gjatë muajve të fundit.
Verdho është paraqitur në SPAK edhe më 21 maj, më 5 qershor dhe më 8 tetor të këtij viti. Deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje zyrtare mbi arsyen konkrete të paraqitjes së tij këtë të premte apo mbi deklarimet që mund të ketë dhënë para prokurorëve.
Paraqitjet e mëparshme të Verdhon në SPAK janë raportuar në kuadër të hetimeve që lidhen me dosjen e ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Në paraqitjen e 8 tetorit, Verdho u thirr për të dhënë shpjegime lidhur me këtë çështje. Në atë kohë, mbeti e paqartë nëse pyetjet e prokurorëve lidheshin me veprimtarinë e Hekurudhave Shqiptare apo me procedurat e tenderimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, institucion që Verdho e ka drejtuar më herët.
Ai ka qenë në krye të ARRSH-së gjatë periudhës 2018–2021, më pas ka drejtuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe që prej marsit 2024 drejton Hekurudhat Shqiptare.









