Ministria e Shëndetësisë njofton se tetë persona janë paraqitur për trajtim mjekësor në QSUT dhe SUT, të gjithë me gjendje shëndetësore stabël. Ndërkohë, mediat raportojnë për zjarr në godinën e Ministrisë së Bujqësisë dhe lëndime gjatë përplasjeve.
Përplasjet e nisura gjatë mesdites kanë vijuar edhe gjatë pasdites, duke u zhvendosur nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” drejt disa zonave të tjera të kryeqytetit. Policia ka përdorur gaz lotsjellës, autobotë me ujë dhe, sipas raportimeve mediatike, plumba gome për të shpërndarë turmat, ndërsa një pjesë e protestuesve u janë kundërpërgjigjur efektivëve me gurë.
Një nga zhvillimet e raportuara është zjarri në godinën e Ministrisë së Bujqësisë, ku dyshohet se protestuesit i kanë vënë flakën ndërtesës. Ndërkohë, në Sheshin “Skënderbej” është raportuar për hedhje të gazit lotsjellës nga tarracat e godinave të ministrive, në drejtim të qytetarëve të mbledhur aty.
Pas ndërhyrjeve të policisë në bulevard, protestuesit janë shpërndarë në disa zona të Tiranës. Grupe qytetarësh janë raportuar në Parkun Rinia, në rrugën “Myslym Shyri”, në Sheshin “Skënderbej” dhe në drejtim të rrugës së Elbasanit.
Një pjesë e tyre janë drejtuar për nga Drejtoria e Policisë, ndërsa forcat speciale dhe autobotët me ujë kanë vijuar ndërhyrjet. Në disa rrugë janë djegur kazanë mbeturinash, duke rënduar më tej situatën.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka njoftuar se, gjatë protestës, tetë persona janë paraqitur për trajtim mjekësor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe në Spitalin Universitar të Traumës (SUT). Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë personat e evidentuar kanë gjendje shëndetësore stabël.
Në QSUT janë paraqitur një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një përfaqësuese e medias dhe katër protestues. Të gjashtë raportohen me gjendje shëndetësore stabël. Ndërsa në SUT kanë marrë trajtim një efektiv policie dhe një përfaqësues i medias, edhe këta me gjendje shëndetësore stabël.
Në total, bilanci përfshin katër protestues, një deputet, një efektiv policie dhe dy përfaqësues të medias. Ky është bilanci i personave të evidentuar në njoftimin e ministrisë dhe nuk përjashton raste të tjera që mund të raportohen më vonë.
Gjatë përplasjeve janë raportuar edhe raste lëndimesh nga plumbat e gomës. Një pedagoge ka treguar plagën e marrë gjatë protestës, ndërsa avokati Altin Goxhaj ka publikuar një video ku pretendon se është goditur nga një plumb gome në kraharor.
Një gazetar ka deklaruar gjithashtu se ka pësuar djegie në trup pas kontaktit me ujin e hedhur nga autoboti i policisë, duke pretenduar se ai përmbante piper dhe kimikate.
Në rrugët e kryeqytetit dëgjohen thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Dorëheqje”. Përdorimi i mjeteve të forcës nga policia dhe hedhja e gurëve nga disa protestues kanë shënuar një përshkallëzim të situatës.









