Abuzoi me miliona në shëndetësi, Ilir Beqaj del nga burgu

Facebook
WhatsApp

Ndonëse SPAK e akuzon për korrupsion dhe përfitime të paligjshme me vlerë miliona euro në dosjen SASPAC, ndërsa është i pandehur edhe për koncesionin e sterilizimit, GJKKO vendosi t’i zëvendësojë masën e sigurisë me “arrest në shtëpi”.

Një nga dosjet më të bujshme të SPAK për abuzim me miliona euro fonde publike, nuk e mban më në qeli ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Megjithëse Prokuroria e Posaçme e akuzon për korrupsion dhe vepra të tjera penale në çështjen SASPAC, si edhe e ka marrë të pandehur për koncesionin e sterilizimit, GJKKO vendosi ndryshimin e masës së sigurisë në “arrest në shtëpi”.

Me këtë vendim, Beqaj do ta vijojë procesin penal nën masën e arrestit në shtëpi.

Ish-ministri po hetohet në kuadër të çështjes SASPAC, ku SPAK e akuzon për disa vepra penale, mes tyre korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, mashtrim dhe fshehje pasurie. Ai u arrestua në korrik të vitit 2024.

Kërkesa e Beqajt bazohej në pretendimin për tejkalim të afateve të paraburgimit, duke iu referuar një vendimi njësues që përcakton se, kur gjykata e seancës paraprake kthen një çështje për hetime të mëtejshme, afati i seancës paraprake konsiderohet pjesë e afatit të hetimeve paraprake.

Një ditë më parë, gjykata ndryshoi masën e sigurisë edhe për të dyshuarin tjetër, Ermal Kurtulaj, i cili është pjesë e dosjes së SASPAK.

“Mori vendimin për kthimin mbrapsht të akteve të dosjes në Prokurori. Ky vendim bën që afatet e mëparshme të bashkohen me afatet e hetimit paraprak, ndërsa afatet e paraburgimit shuhen. Vendimin e sotëm nuk do ta apelojmë, ashtu siç nuk do ta apelojë as Prokuroria. Edhe Prokuroria ishte dakord me masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Tani i takon Prokurorisë të marrë vendimin për ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe unë pres që zoti Beqaj të shkojë në shtëpi. Zoti Beqaj ishte i lumtur që do të kthehet në shtëpi, por prej më shumë se dy vitesh jemi sorollatur për një çështje që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë.

Ky është një vendim i balancuar, që i jep mundësi Prokurorisë të provojë akuzën, e cila deri më sot mbetet e paqartë. Shpresoj që Prokuroria të tregohet korrekte në përmbushjen e detyrave që do t’i lërë gjykata. Afatet e paraburgimit shuhen. Kemi më shumë se dy vjet dhe ato tashmë janë tejkaluar”, tha avokati i Beqajt.

Përveç çështjes së SASPAC Ilir Beqaj u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK edhe për koncesionin 100 milionë euro të sterilizimit. Ndaj tij fillimisht u caktua masa e sigurisë “Detyrim për t’u paraqitur”.

Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017, u firmosën tre kontrata koncesionare prej dhjetëra milionë eurosh për shërbime të sistemit shëndetësor.

Prej vitit 2021, Beqaj drejtonte Agjencinë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, SASPAC, post nga u dorëhoq në nëntor të vitit 2023. Në tetor të atij viti ai u bë gjithashtu pjesë e grupit negociator për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Përveç aferës së sterilizimit, Beqaj është dërguar për gjykim edhe për aferën korruptive me fondet e ndihmës nga Bashkimi Evropian nëpërmjet procedurave të pavërteta të prokurimit dhe pastrimit të parave përmes faturave fiktive, në kohën kur ai drejtonte SASPAC.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick