Përmes një postimi në X, kryeministri ironizoi shpejtësinë me të cilën sipas tij gjykata veproi për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit ndërsa thekson se “dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë”.
Gjykata Administrative ka pranuar kërkesën e Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Durrësit për sigurimin e padisë të bërë sot ndaj Ministrisë së Financave pas bllokimit të pagave të magjistratëve dhe administratës së gjyqësorit.
Kështu, Gjykata Administrative ka zhbllokuar pagat e prokurorëve, gjyqtarëve dhe punonjësve të tjerë të sistemit gjyqësor, duke rrëzuar vendimin e Ministrisë së Financave të firmosur nga ministri Petrit Malaj, dhe Degës së Thesarit Tiranë.
Pranimi i sigurimit të padisë përbën një zgjidhje provizore, pasi nuk e zgjidh çështjen përfundimisht. Në padinë e depozituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë theksohet se Ministrisë së Financave po krijon një “precedent antikushtetues të vetëgjyqësisë institucionale”, ndërsa pasojat për funksionimin e gjyqësorit përshkruhen si “destabilitet” i shkaktuar artificialisht.
Apeli i GJKKO-së akuzon se Ministria e Financave dhe Thesari kanë vepruar përtej kompetencave të kontrollit financiar, duke ndërhyrë në një fushë që, sipas padisë, i përket ekskluzivisht pushtetit gjyqësor.
Kryeministri Edi Rama reagoi pas vendimit. Përmes një postimi në X Rama ironizon shpejtësinë me të cilën sipas tij gjykata veproi për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit ndërsa thekson se “dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë”.
“Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge gjykatësve…
Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!
Ja edhe në tabelën bashkëngjitur çfarë kërkon Gjykata Administrative në dyert e thesarit të shtetit pa kaluar fare nga parlamenti, ndërkohë që e përsëris: Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator”, shkroi Rama në X.









