Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar sot në aksin nacional Pogradec–Lin, pranë fshatit Pojskë, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën në mënyrë të fortë, duke shkaktuar pasoja tragjike.
Sipas të dhënave paraprake, në këtë përplasje janë përfshirë dy makina që dyshohet se kanë goditur njëra-tjetrën kokë më kokë. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një grua, e cila ndodhej si pasagjere në njërin prej mjeteve të përfshira.
Gjithashtu, katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, ku njëri prej tyre raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Pogradecit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë nën kujdesin e stafit mjekësor.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, të cilat kanë bërë sigurimin e zonës dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Përplasja e fortë ka shkaktuar dëmtime të mëdha materiale në të dy automjetet, të cilat janë parë pothuajse të shkatërruara plotësisht. Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë dhe dinamikën e saktë të ngjarjes.









