Viktima rezulton person me precedent penal, teksa në vitin 2025 është arrestuar pas një rasti plagosjeje
Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e kësaj të diele në Sarandë, ku një person ka humbur jetën.
Raportohet se Artan Myrtaj ka ndërruar jetë pasi është goditur me armë zjarri nga dy persona. 44-vjeçari ka mbetur i vdekur në vend, teksa autorë kanë qenë dy persona me skafandër, që lëviznin me motor.
Nga ana tjetër, nga breshëria e plumbave mësohet se është plagosur dhe një kalimtar. Ngjarja ka ndodhur tek ish-agjencia e vjetër e qytetit të Sarandës.
Viktima rezulton person me precedent penal, pasi në vitin 2025 është arrestuar pas plagosjes me armë të Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lamajt. Ngjarja ka ndodhur në 2025 për një pronë në vijën bregdetare. 44-vjeçari Murtaj akuzohej për veprën penale të “Përkrahjes së autorit të krimit”.
“Në vijim të veprimeve lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 17.07.2025, në lagjen nr. 3, Sarandë, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria, datë 19.07.2025, për shtetasin A. M., 43 vjeç, banues në Sarandë, i shpallur në kërkim si i dyshuar për veprën penale ‘Përkrahja e autorit të krimit‘”- njoftonte policia në lidhje me atë ngjarje.









