Atentati në Dukagjin/ I mbijetuari eci 2 km për të kërkuar ndihmë!

Facebook
WhatsApp

Gjatë sulmit, Bashi është shtrirë brenda mjetit në përpjekje për t’u mbrojtur, por është goditur nga një plumb në shpatull. Ai ka qëndruar i fshehur për disa minuta dhe ka pritur derisa autorët të largoheshin nga vendngjarja.

“Na thavi krahin”. Këto kanë qenë fjalët e para të Lazër Bashit pasi arriti të kërkonte ndihmë pas atentatit të rëndë në Dukagjin, ku Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir, u qëlluan për vdekje me armë zjarri.

Bashi arriti t’i mbijetonte breshërisë së plumbave, ndonëse mbeti i plagosur në shpatull. Për të kërkuar ndihmë, atij iu desh të përshkonte rreth dy kilometra në këmbë në një terren të vështirë malor.

Sipas dëshmisë së tij, ai ndodhej rastësisht në pjesën e pasme të automjetit së bashku me Prelë dhe Lekë Gjonin në momentin kur ndaj tyre u hap zjarr. Dyshohet se autorët përdorën dy armë, një kallashnikov dhe një MP5, duke qëlluar më shumë se 50 herë në drejtim të automjetit.

Gjatë sulmit, Bashi është shtrirë brenda mjetit në përpjekje për t’u mbrojtur, por është goditur nga një plumb në shpatull. Ai ka qëndruar i fshehur për disa minuta dhe ka pritur derisa autorët të largoheshin nga vendngjarja.

Si pasojë e sulmit, automjeti kishte humbur kontrollin dhe ishte kthyer në njërën anë. Pasi është bindur se autorët ishin larguar, Bashi ka dalë nga makina dhe ka marrë me vete telefonin celular.

Zona ku ndodhi atentati nuk kishte sinjal telefonik, duke e bërë të pamundur kërkimin e menjëhershëm të ndihmës. Në këto kushte, Lazër Bashi ka nisur të ecë i plagosur nëpër terrenin malor.

Për rreth 40 minuta ai ka përshkuar afro dy kilometra, derisa ka mbërritur në një lokal pranë kryqëzimit ku rruga e Pultit lidhet me atë të Shoshit.

Prej aty ka mundur të telefonojë një të afërm. “Na thavi, krahin”, kanë qenë fjalët e para që ka thënë gjatë telefonatës.

Më pas Bashi ka treguar se kishte qenë në automjet me Prelë dhe Lekë Gjonin dhe se babë e bir kishin mbetur të vrarë në vend.

I plagosuri ka pastruar në një çezmë pranë lokalit gjakun që i rridhte nga plaga dhe më pas ka pritur mbërritjen e transportit për t’u dërguar në Spitalin Rajonal të Shkodrës.

Për shkak të humbjes së konsiderueshme të gjakut, ai është transportuar më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ka marrë trajtim më të specializuar. Aktualisht raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Shkodrës dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për zbardhjen e vrasjes së dyfishtë dhe identifikimin e personave që qëlluan ndaj automjetit.

Deri tani nuk raportohet të jetë identifikuar ndonjë person si autor i atentatit. Disa persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga policia, por ende nuk ka të dhëna konkrete që i lidhin ata me ngjarjen.

Mes pistave që po shqyrtohen nga hetuesit është divorci i Lekë Gjonit rreth tre muaj më parë, si dhe një konflikt i ndodhur disa vite më herët. Megjithatë, familjarët kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për konflikte të kohëve të fundit që mund të lidhen me vrasjen.

Prelë dhe Lekë Gjoni po ktheheshin nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe disa koshere bletësh, dhe po udhëtonin në drejtim të Shkodrës kur u zunë në pritë në rrugën e Xhanit.

Lekë Gjoni punonte me kamion, duke transportuar materiale ndërtimi dhe një ekskavator në zonën e Dukagjinit. Sipas informacioneve të bëra publike, ai nuk njihej si person problematik dhe lëvizte lirshëm në zonë.

Hetimet vështirësohen edhe nga karakteristikat e zonës ku ndodhi atentati. Terreni i thepisur malor, mungesa e sinjalit telefonik dhe fakti që rruga nuk mbulohet nga kamera sigurie kanë kufizuar mundësitë për sigurimin e provave.

Policia dhe Prokuroria po vijojnë mbledhjen e materialeve dhe marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, ndërsa hetimet synojnë identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motivit të vrasjes së dyfishtë.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick