Berisha: Grupi i kokainës bleu tokë në Jalë me një çmim qesharak

Facebook
WhatsApp

Kreu i PD-së pretendon se pronat e sekuestruara lidhen me investime në turizëm dhe ndërtim, ndërsa ngre dyshime mbi mënyrën e përfitimit të tokës në bregdetin e Himarës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë sot publike akuza të reja lidhur me një grup të goditur nga drejtësia për trafik ndërkombëtar droge, duke pretenduar se anëtarë të tij kanë përfituar prona me vlera të ulëta në zonën bregdetare të Jalës, në Himarë.

Gjatë një konference për mediat, Berisha deklaroi se grupi i lidhur me Dritan Gjikën, Eldi Dizdarin dhe Shpëtim Aliun, i akuzuar për trafikimin e rreth 50 tonëve kokainë gjatë viteve 2020-2021, kishte investuar në sektorin e ndërtimit dhe turizmit përmes kompanive të ndryshme, të cilat sipas tij shërbenin për pastrimin e parave.

Sipas kreut të opozitës, ndër asetet e sekuestruara nga SPAK bie në sy një projekt hotelier në zonën e Jalës, i lidhur me kompanitë “Seaview Development” dhe “Aliu Road House”. Ai iu referua gjithashtu një projekti për ndërtimin e një hoteli me pesë yje, duke theksuar se kompania kishte aplikuar për leje ndërtimi pranë autoriteteve shtetërore gjatë këtij viti.

Berisha ngriti dyshime edhe mbi mënyrën e blerjes së tokës ku parashikohej zhvillimi i projektit. Sipas tij, rreth 15 mijë metra katrorë tokë në Jalë janë blerë për vetëm 54 mijë euro, ose rreth 3 deri në 4 euro për metër katror, një vlerë që ai e cilësoi jashtë çdo logjike tregu për një zonë turistike të bregdetit shqiptar.

Më tej, Berisha deklaroi se prona kishte qenë e bllokuar nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës për shkak të mungesës së dokumentacionit dhe kontratave të shitjes. Ai pretendoi se në dokumentacion ekzistojnë paqartësi mbi pronësinë dhe identitetin e shitësve, duke e konsideruar rastin si një tjetër shembull të lidhjeve mes krimit të organizuar dhe institucioneve shtetërore.

Deklaratat e Berishës vijnë pas njoftimeve për sekuestrimin e aseteve dhe kompanive të lidhura me grupin e hetuar nga SPAK.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick