Lideri i opozitës theksoi se ky numërim është manipuluar edhe me ndërhyrjen e Narko-Shërbimit Informativ.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë kundër numërimit elektronik të votave, duke deklaruar se forca politike që ai drejton nuk do ta pranojë zbatimin e këtij sistemi në asnjë bashki të vendit.
Gjatë një konference për mediat, lideri i opozitës ngriti akuza për parregullsi dhe manipulime në procesin e numërimit elektronik, duke pretenduar se në të janë përfshirë edhe struktura të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).
Sipas Berishës, gjatë këtij procesi janë krijuar servera paralelë dhe janë evidentuar probleme serioze, të cilat, sipas tij, cenojnë besueshmërinë e numërimit të votave.
“Asnjë bashki nuk pranojmë numërim elektronik. PD nuk pranon. Numërimi elektronik është manipuluar në mënyrë të turpshme. Në numërimin elektronik është implikuar edhe SHISH, janë krijuar servera paralel, ka patur probleme të mëdha. Ne nuk pranojmë asgjë të manipulueshme në procesin zgjedhor”, tha lideri demokrat.
Berisha, ka komentuar edhe zhvlerësimin e euros kundrejt lekut, duke e lidhur forcimin e monedhës shqiptare me qarkullimin e parave që, sipas tij, vijnë nga trafiku i drogës.
Berisha deklaroi se leku është shndërruar në një monedhë që ai e quajti “narkos”, ndërsa akuzoi qeverinë se e ka kthyer Shqipërinë në një vend ku pastrohen paratë e aktiviteteve kriminale.
Duke iu referuar një studimi të Eurostat, kreu i PD-së pretendoi se forcimi i lekut është pasojë e hyrjes së sasive të mëdha të parave të paligjshme në ekonominë shqiptare, koston e të cilave, sipas tij, e paguajnë qytetarët.
“Leku është monedha më e fortë në botë në raport me euron. Leku është shndërruar në narkos, nuk do quhet më 5 mijë lekë, por do quhet narkos. Me këtë studim të Eurostat, Shqipëria shpallet de facto lavatriçja e parave të drogës mbi tokë.
Paraja e madhe vjen në Shqipëri, kontejnerët me euro dhe dollarë vijnë në vendin tonë. Shqipëria e Edi Ramës rezulton më narko-shtet se çdo vend tjetër. Narko-trafikun e paguajnë qytetarët shqiptarë”, tha Berisha.









