Historia e Al-Kaedës nuk mund të konsiderohet e mbyllur me vdekjen e Bin Ladenit apo me eliminimin e pasuesit të tij. Organizata ka humbur fuqinë që kishte dikur, por ideologjia dhe rrjetet që ajo krijoi vazhdojnë të jenë pjesë e peizazhit global të terrorizmit.
Marshimi i gjatë i Osama bin Ladenit dhe, në një masë të madhe, edhe i Al-Kaedës nisi në distancë në gusht të vitit 1996. Ishte një datë simbolike, e paraprirë nga një rritje e ndjeshme e lëvizjeve fundamentaliste, me forma dhe ngjyra të ndryshme. Por në atë verë, “sheiku” Bin Laden do t’u shpallte luftë amerikanëve.
Kjo shpallje do të pasohej nga disa sulme të përgjakshme në Afrikë, nga premtimi për ta çuar konfliktin në territorin amerikan dhe më pas nga operacioni terrorist i 11 Shtatorit 2001, kur avionët e rrëmbyer u përdorën si raketa kundër Kullave Binjake në Nju-Jork dhe Pentagonit.
Shtëpia e Bardhë do të përgjigjej me atë që do të shndërrohej në konfliktin më të gjatë të historisë amerikane, fillimisht me ndërhyrjen në Afganistan dhe më pas me pushtimin katastrofik të Irakut. Në këtë fushatë të gjerë do të përfshiheshin edhe shumë aleatë të SHBA-së.
Sulmet terroriste do të vazhdonin, përfshirë disa në Evropë, por gradualisht organizata e themeluar nga miliarderi saudit do të detyrohej të tërhiqej dhe të fshihej.
Në vitin 2011, vetë Bin Ladeni u vra në Abbottabad të Pakistanit. Në vitet që pasuan, u eliminuan edhe figura të tjera të rëndësishme të organizatës. Në vitin 2022, radha i erdhi pasuesit të tij, Ayman al-Zawahirit, i vrarë nga një sulm me dron ndërsa ndodhej në një ballkon në Kabul.
Sfidë e re: Shteti Islamik
Ndërkohë, përveç përballjes me ndjekjen e pandërprerë të shërbimeve të inteligjencës dhe forcave amerikane, Al-Kaeda u përball me një sfidë edhe më të madhe: përçarjen që solli Shteti Islamik.
Ky grup u shfaq si një forcë më brutale dhe më dinamike, e aftë të tërhiqte mijëra luftëtarë xhihadistë. Ishte një organizatë fleksibël dhe e fuqishme, që arriti të trondiste Lindjen e Mesme dhe më pas të kryente një seri sulmesh në qendër të Evropës, në SHBA dhe në Australi.
Edhe kjo organizatë do të përballej me një kundërgoditje të fuqishme. Gradualisht humbi bazat e saj territoriale dhe pa të eliminoheshin njëri pas tjetrit liderët e saj, përmes sulmeve të sakta ajrore dhe operacioneve të forcave kundërshtare.
Megjithatë, Shteti Islamik nuk u zhduk. Ashtu si nuk u zhduk as ideologjia dhe rrjeti i Al-Kaedës. Të dyja strukturat kanë ndryshuar formë dhe taktika.
Një Al-Kaedë më e heshtur
Sot dëgjojmë shumë më pak për “qendrën” e Al-Kaedës, e cila besohet se drejtohet — të paktën formalisht nga ish-oficeri egjiptian Seif al-Adel, i njohur me nofkën “Shpata e Fitores”.
Ai konsiderohet nga disa burime si lideri kryesor i fshehur i organizatës dhe besohet se ndodhet në Iran, ku autoritetet iraniane e mbajnë nën kontroll.
Ndryshe nga Bin Ladeni, Seif al-Adel nuk është figurë që shfaqet në video apo që nxjerr vazhdimisht deklarata publike. Ai preferon të qëndrojë në hije, edhe për të shmangur dhënien e informacionit që mund t’u shërbejë agjencive të inteligjencës.
Rënia e profilit të udhëheqjes qendrore nuk është thjesht një zgjedhje strategjike. Është mbi të gjitha pasojë e asaj që ka ndodhur me organizatën gjatë dekadave të fundit.
Al-Kaeda është transformuar në një rrjet të përbërë nga degë rajonale, të cilat veprojnë gjithnjë e më shumë mbi objektiva lokale dhe shfrytëzojnë kushtet e favorshme në territoret ku operojnë. Dhe në disa prej këtyre fronteve, ato vazhdojnë të shënojnë rezultate.
Degët rajonale
Në rajonin e Sahelit, aktiviteti i Jama’at Nusrat al-Islam wal-Muslimin (JNIM) është veçanërisht intensiv. Grupi bashkëpunon në raste të ndryshme edhe me forca separatiste, përfshirë elementë tuaregë, me synimin për të zgjeruar ndikimin e tij.
Në shënjestër është edhe Mali, një vend që aktualisht mbështetet nga Rusia dhe aleatë të tjerë të saj. Xhihadistët kanë akses në armatime, përfitojnë nga hapësirat e mëdha territoriale dhe shfrytëzojnë dobësitë dhe gabimet e regjimeve që mbështeten nga Rusia.
Një tjetër instrument i rëndësishëm është rrëmbimi për shpërblim. Përmes pengjeve dhe pagesave të negociuara, grupet xhihadiste kanë arritur të sigurojnë dhjetëra milionë dollarë.
Më në jug, në Bririn e Afrikës, vepron Al-Shabaab. Organizata vazhdon të jetë aktive, duke kombinuar sulmet terroriste me luftën guerile dhe duke u përfshirë në forma të ndryshme të ekonomisë kriminale dhe trafikimit.
Në anën tjetër të Detit të Kuq dhe në Gadishullin Arabik ndodhet një prej degëve historike të rrjetit: Al-Kaeda në Gadishullin Arabik (AQAP), që përfshin kryesisht hapësirën e Jemenit dhe Arabisë Saudite.
Kjo ka qenë një prej degëve më të rëndësishme për vetë Osama bin Ladenin. Për këtë arsye, pas 11 Shtatorit ajo u bë edhe një prej strukturave të Al-Kaedës që realizoi ose tentoi të realizonte sulme në Perëndim.
AQAP u shndërrua në një lloj laboratori për metoda të reja terroriste, përfshirë edhe përpjekjen e famshme për të përdorur eksplozivë të fshehur në të brendshme, një metodë që u bë e njohur ndërkombëtarisht si “bomba në të brendshme”.
Në lindje, ndërkohë, rrjeti i lidhur me Al-Kaedën ruan praninë e tij në hapësirën indo-pakistaneze.
Këto janë vetëm disa prej “degëve” të një rrjeti që, sipas disa analistëve, nuk është më në gjendje të hartojë dhe të zbatojë projekte të mëdha globale si në epokën e Bin Ladenit. Në vend të kësaj, ai është përqendruar gjithnjë e më shumë te objektivat pranë zonave ku operojnë degët e tij.
Siria dhe ndryshimi i fytyrës
Një shembull interesant është zhvillimi i situatës në Siri, ku një strukturë me origjinë të lidhur me Al-Kaedën ka tentuar të distancohet nga identiteti i saj i dikurshëm xhihadist.
Në vend të uniformës dhe retorikës së luftëtarit xhihadist, ajo ka zgjedhur një imazh më politik dhe institucional kostumin dhe kravatën, si pjesë e përpjekjes për të fituar legjitimitet dhe për t’u paraqitur si një aktor i aftë për të qeverisur.
Është një shkëputje formale nga e kaluara dhe një përpjekje për t’u përshtatur me realitetin e ri politik.
Qëllimi është i qartë: të qeverisësh nuk është e njëjta gjë si të bësh luftë guerile. Për të qeverisur, një grup i tillë duhet të bëhet më i pranueshëm për aktorët lokalë dhe ndërkombëtarë.Peizazhi i sotëm është shumë më i paqartë se ai i fillimit të viteve 2000.
Në Perëndim, një pjesë e dhunës ekstremiste kryhet gjithnjë e më shumë nga individë që veprojnë në mënyrë autonome dhe me një nivel shumë të ulët organizimi.
Kjo vlen për Al-Kaedën, por edhe më shumë për Shtetin Islamik.
Kërcënimi mund të vijë nga persona të motivuar jo vetëm nga objektiva politike apo ideologjike, por edhe nga arsye thellësisht personale.
Në disa raste, dhuna për hir të dhunës duket se zë vendin e ideologjisë së strukturuar radikale. Në vend të flamujve dhe organizatave të qarta shfaqen forma të ndryshme të “kulteve” të dhunës.
Bëhet fjalë për individë me prirje nihiliste, persona të fiksuar pas materialeve true crime dhe torturave, njerëz që shfaqin urrejtje ndaj shoqërisë dhe që përfundojnë duke vepruar në mënyrë terroriste. Kësaj tabloje i shtohet edhe një dimension tjetër: terrori i sponsorizuar nga shtetet.
Një kërcënim që nuk është zhdukur
Megjithëse realiteti i sotëm është shumë më kompleks dhe i fragmentuar, Al-Kaeda vazhdon të monitorohet nga shërbimet e inteligjencës dhe strukturat e sigurisë. Kjo ndodh edhe për arsye rutinore, por mbi të gjitha sepse ekziston bindja se mesazhi themelor i organizatës nuk është zhdukur plotësisht.
Al-Kaeda nuk është më ajo që ishte në prag të 11 Shtatorit.Nuk ka më të njëjtën hierarki, të njëjtin kapacitet operativ, të njëjtën qendër të dukshme apo të njëjtin ndikim global. Por rrjeti ka mbijetuar duke ndryshuar strukturë: nga një organizatë me një komandë qendrore dhe ambicie globale, në një mozaik degësh rajonale, më të fokusuara te konfliktet lokale dhe te shfrytëzimi i dobësive të shteteve.
Kjo është arsyeja pse historia e Al-Kaedës nuk mund të konsiderohet e mbyllur me vdekjen e Bin Ladenit apo me eliminimin e pasuesit të tij. Organizata ka humbur fuqinë që kishte dikur, por ideologjia dhe rrjetet që ajo krijoi vazhdojnë të jenë pjesë e peizazhit global të terrorizmit.









