Në Zapopan dhe në “tempullin” e saj, Korea e Jugut dhe Meksika marrin fitore të rëndësishme, me përmbysje, gola të shpejtë dhe tre kartonë të kuq.
Botërori në Grupin A ka dhuruar emocione të forta dhe rezultate befasuese, me Korenë e Jugut dhe Meksikën që kanë siguruar fitore të rëndësishme në sfidat respektive.
Në stadiumin “Estadio Akron” në Zapopan të Meksikës, Korea e Jugut triumfoi me përmbysje 2-1 ndaj Republikës së Çekisë. Europianët kaluan të parët në avantazh në minutën e 59-të me mbrojtësin Ladislav Krejci, duke shtangur aziatikët.
Megjithatë, reagimi i Koresë së Jugut ishte i menjëhershëm dhe spektakolar. Hwang In-Beom barazoi shifrat në minutën e 67-të, ndërsa vetëm 13 minuta më pas, në të 80-tën, Oh Hyeon-Gyu realizoi golin e përmbysjes, duke vulosur suksesin 2-1.
Me këtë fitore, koreanët ngjiten në vendin e dytë të Grupit A me 3 pikë, po aq sa Meksika, ndërsa Çekia dhe Afrika e Jugut mbeten pa pikë.
Ndërkohë, në “Estadio Banorte”, Meksika e nisi në mënyrë perfekte aventurën në Botëror, duke mposhtur Afrikën e Jugut me rezultatin 2-0. Vendasit zhbllokuan sfidën shumë shpejt, që në minutën e 9-të, me anë të Quiñones, i cili përfitoi nga një gabim në mbrojtjen afrikane.
Pjesa e dytë ishte edhe më e zjarrtë. Sithole u ndëshkua direkt me karton të kuq, ndërsa në minutën e 67-të Jiménez dyfishoi shifrat pas një krosimi të saktë në zonë. Fundi i takimit solli tensione të tjera, me Zwane dhe Montes që gjithashtu u larguan me karton të kuq, duke e çuar në tre numrin total të të përjashtuarve.
Pas këtyre rezultateve, Meksika mban vendin e parë në Grupin A me 3 pikë dhe golavarazh më të mirë, e ndjekur nga Korea e Jugut me të njëjtin kuotë pikësh. Çekia dhe Afrika e Jugut ndajnë vendet e fundit pa asnjë pikë, duke e bërë garën për kualifikim edhe më të hapur.









