Italia alarmin për krizën migratore në kufijtë e BE-së. Meloni kërkon pezullimin e përkohshëm të disa dispozitave të Shengenit, ndërsa Tajani e quan “gabim të rëndë” vendimin e Spanjës për legalizimin e emigrantëve.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka bërë thirrje për pezullimin e përkohshëm të disa dispozitave të Marrëveshjes së Shengenit mbi lëvizjen e lirë, pas mbërritjes së qindra emigrantëve të parregullt nga Maroku në enklavën spanjolle të Ceutës.
Në një reagim publik, Meloni i cilësoi pamjet nga Ceuta si “tronditëse” dhe paralajmëroi se Italia nuk do të qëndrojë pasive përballë zhvillimeve. “Italia nuk do të qëndrojë duarkryq”, deklaroi ajo. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili mbështeti kërkesën për masa më të forta në menaxhimin e flukseve migratore.
Sipas Tajanit, vendimi i qeverisë spanjolle për t’u dhënë shtetësi spanjolle, dhe rrjedhimisht shtetësi evropiane, mbi 500 mijë emigrantëve të parregullt ka qenë një zgjedhje e gabuar.
“Imazhet që vijnë nga Ceuta tregojnë se zgjedhja e qeverisë së Madridit për t’u dhënë shtetësi spanjolle, dhe për rrjedhojë evropiane, mbi 500 mijë migrantëve të parregullt është thellësisht e gabuar dhe inkurajon trafikimin e qenieve njerëzore”, shkroi Tajani në platformën X.
Deklaratat vijnë në një moment kur Spanja po përballet me një valë të re emigrantësh në Ceuta, ndërsa autoritetet spanjolle kanë angazhuar ushtrinë dhe forca shtesë sigurie për të menaxhuar situatën në enklavën kufitare.
Pse Ceuta është porta më e rrezikshme e emigrantëve drejt Europës?
Ceuta është një qytet autonom i Spanjës, i vendosur në brigjet e Ngushticës së Gjibraltarit, por gjeografikisht ndodhet në veri të Marokut, rreth 70 kilometra nga Tangeri. Për këtë arsye, ajo konsiderohet një enklavë spanjolle brenda territorit maroken.
Pozicioni i saj e ka bërë Ceutën një nga pikat kryesore të hyrjes në Europë për emigrantët që përpiqen të kalojnë nga Afrika.
Ceuta ka të njëjtin status si Melilla, një tjetër qytet autonom spanjoll i vendosur në bregdetin lindor të Marokut. Të dyja këto qytete janë pretenduar vazhdimisht nga Maroku, i cili kërkon që ato të bëhen pjesë e territorit të tij. Spanja i ka refuzuar këto kërkesa, duke argumentuar se Ceuta dhe Melilla ishin pjesë e saj shumë përpara se Maroku të fitonte pavarësinë në vitin 1956.
Për të mbrojtur këto dy enklava, Spanja ka ngritur një sistem të fortë sigurie me forca ushtarake dhe gardhe kufitare që në disa zona arrijnë deri në 20 metra lartësi.
Gjithashtu, janë vendosur edhe barriera në det për të penguar hyrjet e paligjshme. Megjithatë, shumë emigrantë vazhdojnë të përpiqen të arrijnë në Ceuta dhe Melilla duke notuar, një rrugë tepër e rrezikshme që shpesh shkakton plagosje të rënda dhe humbje jete.









