Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi tha se policët duhet të ndalojnë dhunën ndaj qytetarëve. E ashpër ishte replika e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, që i etiketoi si terroristë protestuesit jashtë sallës së Kuvendit.
Debati në Kuvend është shoqëruar me replika të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës për masat e sigurisë dhe përplasjet jashtë Parlamentit.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka kërkuar nga foltorja e Kuvendit ndërprerjen e menjëhershme të ndërhyrjes së policisë ndaj protestuesve të mbledhur jashtë Parlamentit, duke i cilësuar masat e sigurisë si të pajustifikuara. Bardhi u shpreh se qytetarët nuk përbëjnë asnjë rrezik për deputetët dhe se Kuvendi nuk duhet të sillet sikur protestuesit janë një kërcënim.
Bardhi theksoi se policia duhet të qëndrojë larg çdo akti dhune ndaj protestuesve dhe se Kuvendi ka detyrimin të dëgjojë kërkesat e qytetarëve, të cilët po protestojnë për ndryshime ligjore dhe reagim institucional.
“Dua ti kërkojë policisë së shtetit që të ndalë dhunën. është blinduar Kuvendi sikur do të na rrezikojnë ne qytetarët. E ti që ke hall Taulant kostumin se e ke të shtrenjtë. Duhet të verifikojnë se ku i ke gjetur lekët për atë kostum të shtrenjtë ti Taulant. Duhet të distancohet policia nga dhuna.
Në emër të kuvendit nuk e nderon ajo që po bën policia e Shtetit, Kuvend. Nuk duhet të ndihemi të rrezikuar nga kritika e qytetarëve, nga kërkesat e tyre. Duhet t’i marrim seriozisht kërkesat e qytetarëve. Kanë kërkuar shfuqizimin e disa ligjeve, ndërkohë të rrimë në heshtje? Atje disa të moshuar, të rinj po dhunohen nga policia. Detyra e policisë së shtetit është që të parandalohet sulmet ndaj qytetarëve”, tha Bardhi.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu përgjigj Bardhit duke ironizuar deklaratat e tij për frikën dhe masat e sigurisë. Balla akuzoi edhe demokratët se vuajnë nga sindroma e Stokholmit, ku të përdhunuarit bien në dashuri me përdhunuesit.
“Hera e parë para meje që ke ardhur para meje në seancë, meqë po flasim për frikë. Kishe ardhur që në orën 8. Tani sa i përket pjesë së kostumit, rritu sa të duash, nuk e mbush e nuk e kënaq dot kostumin tim, por është keqardhje je e madhe që PD e përfundon diskutimin në këtë pikë.
Dallimi më i madh mes këtij grupi dhe këtij grupi, ky grup as ka vuajtur nga 12 qershori 1991 nga sindroma e Stokholmit, ju vuani nga sindroma ku i përdhunuari bie në dashuri me përdhunuesin. Protestuesit thonë Saliu në burg, ia plotëson dot kërkesën?”, tha ai









