Mijëra qytetarë kërkojnë përgjegjësi për korrupsionin dhe akuzojnë qeverinë për presion ndaj administratës. Edhe shkrimtarja Elvira Dones i bashkohet thirrjeve që kryeministri të largohet.
Mijëra qytetarë u mblodhën edhe mbrëmjen e së enjtes përpara godinës së Kryeministrisë, në ditën e 12-të të protestës së pandërprerë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Tubimi, që prej gati dy javësh po zhvillohet çdo mbrëmje në të njëjtin vend, është shoqëruar me thirrje për drejtësi, hetime dhe përgjegjësi institucionale. Protestuesit i drejtuan një mesazh të qartë edhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke kërkuar hetimin e kryeministrit për korrupsion, si dhe përfshirjen në hetime të disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Partisë Socialiste.
Në podium foli aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila tha se është pjesë e protestës për një Shqipëri me drejtësi të re dhe institucione më të përgjegjshme. Ajo akuzoi qeverinë për përkeqësimin e situatës sociale, duke përmendur largimin masiv të të rinjve nga vendi dhe rritjen e kriminalitetit si pasojë e keqqeverisjes.
“Jam këtu për tim vëlla që nga një student ekselent punon si punëtor në New York, për shokët e mi që i kriminalizuat, për gratë që nuk duhet të vdesin në maternitete dhe për punëtorët që humbin jetën pa marrë dëmshpërblim. Drejtësia duhet të marrë nën hetim Edi Ramën për korrupsionin e zyrtarëve të tij. Hetim, hetim, hetim”, deklaroi ajo, duke shtuar se vendimet për pasuritë publike nuk mund të merren nga “pesë oligarkë”, por nga qytetarët.
Protesta e sotme vjen në prag të një aktiviteti të paralajmëruar nga Partia Socialiste për përvjetorin e themelimit të saj. Opozita dhe protestuesit e kanë cilësuar atë si “anti-miting” dhe përpjekje për të zbehur protestën qytetare. Nga podiumi u bë thirrje që punonjësit e administratës publike të mos marrin pjesë në aktivitet, duke pretenduar se ata po detyrohen dhe po shantazhohen me vendin e punës.
“Braktiseni kryeministrin dhe bashkohuni me popullin”, u shpreh një prej protestuesve, ndërsa një tjetër tha se administrata po detyrohet të marrë pjesë në organizim, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të bien pre e provokimeve dhe përçarjeve.
Mbështetje për protestën ka shprehur edhe shkrimtarja Elvira Dones, e cila përmes një reagimi publik kritikoi ashpër kryeministrin, duke e akuzuar për arrogancë dhe mungesë reflektimi përballë pakënaqësisë qytetare. Ajo u shpreh se protestuesit po ngrihen për dinjitetin dhe të ardhmen e vendit, ndërsa i bëri thirrje Ramës të largohet dhe t’i japë Shqipërisë mundësinë “të marrë frymë”.
Protestuesit kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve edhe në ditët në vijim, duke theksuar se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.









