“Mora fjalë”, një prej këngëve më të njohura dhe më të përhapura në Kosovë e në trojet shqiptare, nuk gjendet më në platformat online, pas kundërshtive lidhur me të drejtat e autorit.
Bëhet fjalë për versionin origjinal të këngës, të interpretuar nga këngëtarja Shkurte Fejza, ndërsa autor i tekstit dhe muzikës është Naim Gjoshi.
Ky i fundit, përmes zyrës ligjore, ka kërkuar që vepra të largohet nga kanalet zyrtare ku ishte publikuar.
Zyra ligjore ka bërë të ditur se çdo publikim apo shpërndarje e veprave të Gjoshi-t pa autorizimin e tij konsiderohet përdorim i paautorizuar, përfshirë edhe platformat më të mëdha sociale.
“Në cilësinë e përfaqësuesit ekskluziv të autorit z. Naim Gjoshi për përfaqësimin dhe mbrojtjen ekskluzive të të drejtave të tij mbi tekstet dhe kompozimet, duam të qartësojmë përdoruesit: Çdo vepër e tij që është publikuar apo shpërndarë pa leje në YouTube, Facebook, Instagram, TikTok apo në çdo platformë tjetër, online, të cilat kanë vendosur veprën në dispozicion të publikut kudo në botë, do të trajtohen si përdorim i paautorizuar”, thuhet në deklaratën e zyrës ligjore.
Sipas zyrës ligjore, personat apo subjektet që dëshirojnë të vazhdojnë ta përdorin këngën duhet të sigurojnë paraprakisht autorizimin përkatës nga autori, ndërsa përdorimi i kryer deri më tani duhet të adresohet pranë përfaqësuesve të tij.
“Ata që duan të vazhdojnë ta përdorin veprën duhet të marrin lejen përkatëse të autorit dhe të adresojnë edhe përdorimin e bërë deri tani pranë zyrës ligjore. Fakti që një këngë gjendet në internet nuk do të thotë se është pa pronar apo e lirë për t’u përdorur. Këto veprime të ndërmarra nuk kanë për qëllim denigrimin e performuesve, por vënien në vend të reputacionit dhe respektimin e veprës (pronës) së autorit z. Naim Gjoshi. Veprat kanë autor. Të drejtat kanë zotërues. Dhe ato duhet të respektohen”, përfundon deklarata.
Ndërkohë Shkurte Fejza, e cila e bëri këngën të njohur për publikun e gjerë, nuk ka reaguar ende.









