Kosova voton: A do të marrë fund ngërçi politik?

Facebook
WhatsApp

Procesi i sotëm zgjedhor konsiderohet vendimtar për daljen nga kriza politike që e ka çuar vendin tri herë në zgjedhje brenda 16 muajsh. Liderët institucionalë u kanë bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive, ndërsa rezultatet pritet të përcaktojnë drejtimin e ri politik të vendit.

Qytetarët e Kosovës po votojnë sot për përbërjen e re të Kuvendit, në zgjedhjet e treta parlamentare brenda vetëm 16 muajsh. Procesi vjen pas dështimit për të zgjedhur presidentin dhe për të zgjidhur ngërçin politik që pasoi zgjedhjet e 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit 2025.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 13:00 kanë votuar 15.10% e qytetarëve me të drejtë vote, ose rreth 296 mijë persona. Ndërkohë, deri në orën 11:00 pjesëmarrja ishte 7.98%, me 156.474 votues. Prishtina kryeson për nga numri i votuesve, e ndjekur nga Prizreni, Ferizaj, Peja dhe Gjilani.

Në total, 2.092.174 qytetarë kanë të drejtë vote, ndërsa procesi po zhvillohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime në të gjithë vendin. KQZ bëri të ditur se 22.685 qytetarë votojnë për herë të parë në këto zgjedhje.

Në garë janë 22 parti politike dhe tre koalicione parazgjedhore. Lëvizja Vetëvendosje garon në koalicion me Guxo, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane, ndërsa PDK, LDK dhe AAK konkurrojnë të vetme. Pjesë e garës është edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila kryeson listën e LDK-së për deputetë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pasi hodhi votën në Prishtinë, u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në votime, duke theksuar se “sot vendosin ata që votojnë”. Ndërsa Vjosa Osmani, e cila votoi në Hajvali, deklaroi se “pa qytetarët s’ka demokraci”, duke falënderuar votuesit për angazhimin e tyre.

Procesi ka nisur në orën 07:00 dhe deri më tani është raportuar i qetë, pa incidente serioze. Mbi 100 prokurorë janë angazhuar në terren për të mbikëqyrur mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe për të garantuar integritetin e votës.

Një ditë më parë ka votuar edhe diaspora, ku nga 27.724 votues të regjistruar në përfaqësitë diplomatike, 22.414 kanë ushtruar të drejtën e votës, ose 80.85%.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve pritet të tregojnë nëse Kosova do të arrijë të krijojë institucione të qëndrueshme dhe të dalë nga cikli i krizave të njëpasnjëshme politike.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick