Lot dhe revoltë në lamtumirën e Enea Mekollit

Facebook
WhatsApp

Efektivi 34-vjeçar u shpall “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa ceremonia u shoqërua me nderime dhe akuza të forta nga familjarët. Të afërmit ngritën dyshime për mungesë masash mbrojtëse në operacionin ku ai humbi jetën.

Mes dhimbjes dhe akuzave të forta ndaj institucioneve, është përcjellë për në banesën e fundit efektivi 34-vjeçar i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i rënë në krye të detyrës gjatë një operacioni në Maliq. Homazhet u zhvilluan pranë Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, ku morën pjesë autoritete të larta shtetërore, kolegë, miq dhe qindra qytetarë.

Të pranishëm në ceremoni ishin Presidenti Bajram Begaj, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Në një atmosferë zie, dhjetëra efektivë qëndronin të rreshtuar në heshtje, ndërsa shumë prej tyre nuk i mbanin dot lotët për kolegun e tyre.

Ceremonia u shoqërua me nderime zyrtare. Policia qëlloi në ajër në shenjë respekti, ndërsa familjarëve iu dorëzuan flamuri kombëtar, kapela e efektivit dhe certifikata e nderimit. Mekolli u shpall “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa drejtori Hita e cilësoi atë “hero” dhe shembull të përkushtimit ndaj uniformës, duke theksuar se sakrifica e tij nuk do të harrohet.

Por mes fjalëve të vlerësimit, nuk munguan akuzat dhe revolta. Xhaxhai i të ndjerit, me lot në sy, iu drejtua Presidentit Begaj duke kërkuar përgjegjësi për mënyrën si ishte organizuar operacioni. Ai pretendoi se në terren ndodheshin vetëm gjashtë efektivë dhe jo 40, siç ishte deklaruar, duke ngritur dyshime se ata mund të kenë qenë pa mjete të mjaftueshme mbrojtëse, përfshirë jelekë antiplumb. “Po na vriten djemtë dhe po sundon krimi”, deklaroi ai mes dhimbjes.

Familjarët e përshkruajnë Enea Mekollin si një djalë të përkushtuar ndaj familjes dhe detyrës. Ai kishte shërbyer fillimisht në Policinë Rrugore dhe prej dy vitesh ishte pjesë e forcës së posaçme “Shqiponja”. Lë pas prindërit, motrën, bashkëshorten dhe një foshnjë 9-muajshe. Tragjedia thellohet nga fakti se pak kohë më parë familja kishte humbur edhe vëllain e tij nga një sëmundje e rëndë.

Megjithëse protokolli parashikonte prehjen në varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, familja kërkoi që ai të varrosej në vendlindje, në Blacë të Pogradecit, pranë të vëllait. Mes lotëve dhe thirrjeve për drejtësi, lamtumira e Enea Mekollit u kthye në një apel të fortë për më shumë siguri dhe përgjegjësi në mbrojtje të jetës së efektivëve që përballen çdo ditë me krimin.

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajme të Ngjashme

Never miss any important news. Subscribe to our newsletter.

Lajmet e Fundit

Editor's Pick