Parlamenti Europian ka miratuar me shumicë dërrmuese raportin për Shqipërinë, duke vlerësuar progresin e bërë në rrugën drejt integrimit europian. Megjithatë, dokumenti evidenton se sfidat kryesore mbeten lufta kundër korrupsionit, forcimi i shtetit ligjor dhe garantimi i pavarësisë së institucioneve.
Parlamenti Europian miratoi sot raportin për Shqipërinë me 483 vota pro dhe 103 kundër, duke riafirmuar mbështetjen për procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian, por njëkohësisht duke dërguar mesazhe të qarta për nevojën e thellimit të reformave dhe rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit.
Raporti, i hartuar nga raportuesi për Shqipërinë Andreas Schieder, ishte diskutuar një ditë më parë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, ku kishte marrë mbështetje të gjerë. Në dokument vlerësohet progresi i Shqipërisë në procesin e integrimit, por theksohet se hapja e kapitujve të negociatave nuk mjafton nëse reformat nuk zbatohen në praktikë dhe nuk sjellin përmirësime të prekshme për qytetarët.
Një nga mesazhet më të forta të raportit lidhet me luftën kundër korrupsionit, i cili cilësohet ende si një problem serioz për vendin. Eurodeputetët kërkojnë rezultate më të prekshme në hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e rasteve të korrupsionit në nivele të larta, duke nënvizuar se Shqipëria duhet të ndërtojë një bilanc më të fortë në këtë drejtim.
Dokumenti shpreh gjithashtu shqetësim për rënien e Shqipërisë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, nga vendi i 80-të në vitin 2024 në vendin e 91-të gjatë vitit 2025. Për këtë arsye, kërkohet forcimi i kapaciteteve të institucioneve ligjzbatuese dhe rritja e efikasitetit në goditjen e korrupsionit dhe krimit ekonomik.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe SPAK-ut, për të cilin Parlamenti Europian kërkon garanci të plota për pavarësinë, burimet financiare dhe kapacitetet operacionale. Eurodeputetët theksojnë se puna e institucionit nuk duhet të pengohet apo kufizohet nga ndërhyrje politike apo ndryshime që mund të dobësojnë fuqitë hetimore.
Raporti ndalet edhe te liria e medias, duke dënuar ashpër sulmet verbale, retorikën anti-media dhe fushatat denigruese ndaj gazetarëve. Po ashtu, kërkohet më shumë transparencë mbi pronësinë e mediave dhe shpërndarjen e reklamave shtetërore, me qëllim mbrojtjen e pavarësisë editoriale.
Në përfundim, Parlamenti Europian e konsideron integrimin e Shqipërisë në BE si një objektiv të arritshëm, por thekson se suksesi i këtij procesi do të varet nga vendosmëria për të luftuar korrupsionin pa dallim, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të garantuar institucione të pavarura e funksionale.









