Duke folur në një intervistë për Euronews Albania, Lamallari theksoi se nuk do të stepet as nga presioni publik apo gjykimet e ndryshme, duke nënvizuar se interesi publik mbetet prioriteti kryesor.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka paralajmëruar se mund të ketë persona të tjerë që mund të shpallen “Non Grata” nga qeveria shqiptare për shkak se mund të kërcënojnë sigurinë kombëtare të vendit. Duke folur në një intervistë për Euronews Albania, Lamallari theksoi se nuk do të stepet as nga presioni publik apo gjykimet e ndryshme, duke nënvizuar se interesi publik mbetet prioriteti kryesor.
“Atëherë, unë e thashë pak më herët, më lejoni ta ripërsëris. Çdo javë, unë kam në tryezën time me dhjetëra kërkesa që vijnë nga agjencitë e zbatimit të ligjit. Kjo është një punë dinamike që vijon ditë pas dite. Dhe nëse qëllon që këta persona të jenë qoftë të përfshirë në krim të organizuar, në krime të rënda, në mashtrime, në shantazhe që u bëhen qytetarëve shqiptarë.
Nëse qëllon që këta persona marrin pjesë, krahas aktivitetit të tyre të përditshëm, sigurisht thashë të rrezikshëm, marrin pjesë edhe në protestë, kjo nuk do të thotë që ne do të stepemi. Detyra jonë është të bëjmë zbatimin pikë për pikë të ligjit, sepse në fund të ditës, pa dallim të nuancave apo të situatave të ndryshme politike, Policia e Shtetit duhet të jetë në krye të detyrës dhe të mbrojë qytetarët shqiptarë.
Dhe, pa u stepur as nga presioni publik që mund të krijohet edhe nga gjykimet e ndryshme që mund të vijnë. Por, patjetër kjo është detyra ime, kjo është detyra e qeverisë shqiptare, për këtë jemi besuar dhe mbi të gjitha prevalon interesi publik,” tha Lamallari.
Dy ditë më parë, Ikballe Huduti Berisha nga Kosova, u “shpall” non grata në Shqipëri për një periudhë 15-vjeçare. Ministri Llamallari tha se ky vendim bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetese vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.
Urdhri i ka shkuar Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit për zbatim që Huduti të nxirret dhe mos lejohet në territorin e vendit me motivacionin kërcënim për vendin dhe sigurinë kombëtare.
Ikballe Huduti Berisha është shtetase Kosovare, ajo ka lindur dhe është shkolluar në qytetin e Prizrenit dhe ka mbaruar Medresenë ndërkohë për herë të parë ka shkuar në Iran në vitin 1994.
Në vitin 2020 ajo u arrestua nga Drejtoria Kundër Terrorizmit në Policinë e Kosovës nën akuzën “Nxitje për kryerjen e veprave terroriste” pasi bëri thirrje për hakmarrje ndaj SHBA-ve pas vrasjen e gjeneralit Iranian, Qasem Soleimani
Ikballe Huduti Berisha njihet për lidhjet e saj me regjimin iranian të Ajatollahëve, si dhe ka bërë thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Po kështu është shfaqur publikisht krah ish-presidentit të Iranit.









